Bota Vdekja e dyshimtë ish-presidentit Morsi, OKB kërkon hetim të pavarur

Vdekja e dyshimtë ish-presidentit Morsi, OKB kërkon hetim të pavarur

Vdekja e ish-presidentit të burgosur egjiptian, Mohammed Morsi duket se nuk do të kalojë në heshtje. Pas reagimit të Vëllazërisë Myslimane që ai përfaqësonte ka pasur dhe një deklaratë të OKB për këtë vdekje të dyshimtë.

Zyra e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në OKB kërkoi nga autoritetet egjiptiane një hetim të pavarur për vdekjen e ish presidentit.

Sipas zëdhënësit Rupert Colville ka dyshime për mënyrën se si është trajtuar Mohammed Morsi në qeli, duke përfshirë këtu aksesin në trajtimin mjekësor dhe takimet me familjarët e tij. Gjithashtu ka të dhëna se ish presidenti është mbajtur për një kohë të gjatë në izolim.

Ish-presidenti Mohammed Morsi ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare gjatë paraqitjes së tij në një gjykatë.

Ai ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe që nga viti 2013 është mbajtur i burgosur. Familjarët e ish-presidentit kanë ngritur prej kohësh shqetësimin për trajtimin e keq që i bëhej në burg dhe thanë që autoritetet nuk i lejuan që varrimi i tij të bëhej në qytetin e lindjes.