Aktualitet Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria nis hetimet për “veprime arbitrare” dhe “mosdhënie...

Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria nis hetimet për “veprime arbitrare” dhe “mosdhënie ndihme”

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për vdekjen e Lear Kurtit për veprat penale “kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 të Kodit Penal.

Prokuroria bën me dije se deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e Lear Kurtit, procesverbali i kqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me Lear Kurtin.

Gjithashtu është administruar akti i ekspertimit kimik të kryer nga një grup prej 5 ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetur në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të kokainës.

Prokuroria njofton se grupi hetimor do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero-mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e Lear Kurtit si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.