Aktualitet Vdes Zhaku, luani që u keqtrajtua në kopshtin zoologjik të Fierit

Vdes Zhaku, luani që u keqtrajtua në kopshtin zoologjik të Fierit

Dy muaj pasi u çua në Holandë me shpresën se do të përmirësohej Zhaku, luani i keqtrajtuar i kopshtit zoologjik të Fierit, ndërroi jetë në qendrën “Felida” në Holandë.

Njoftimin e trishtueshëm e dha qendra që u kujdes për të për vetëm pak kohë, por Zhaku s’mundi t’i përballonte pasojat e keqtrajtimit në kopshtin zoologjik “Safari Park Zoo” të Fierit.

“Ky luan miqësor dhe mbresëlënës, i cili jetonte në një ferr në Tokë për vite në një kopsht zoologjik privat në Shqipëri, nuk është më me ne”, shkruan qendra Felida, “Zemrat tona janë thyer dhe na vjen keq që duhet ta ndajmë lajmin e trishtuar me ju.”

“Por ishte shumë vonë për Zhakun. Veshkat e tij ishin shumë të dëmtuara. Mjekët tanë veterinarë kuptuan se Zhaku kishte pësuar një mosfunksionim të veshkave vitin e kaluar.”

Luanët Lenci, Bobi dhe Zhaku, por edhe kafshë të tjera, tronditën shumë njerëz në tetor pasi britanikja “DailyMail” publikoi fotot ku shfaqeshin kushtet çnjerëzore në të cilat mbaheshin ata në qendrën në Fier.

“Kopshti zoologjik i Ferrit” u mbiquajt ndërsa njerëzit ndërmorën një peticion në internet për dërgimin e luanëve në Holandë në qendrën për felinët e mëdhenj.

Ata u dërguan në qendrën Felida në maj.

Në tetor, shoqata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve “Four Pows”, njoftoi se një zebër nga të kopshtit të Fierit, kishte ndërruar jetë pak kohë pasi u lirua.