Kryesore Vendimi: Nga 1 tetori hapen kafenetë, restorantet dhe pishinat në ambientet e...

Vendimi: Nga 1 tetori hapen kafenetë, restorantet dhe pishinat në ambientet e mbyllura

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e sigurisë për hapjen e bareve, restoranteve dhe pishinave në ambientet e mbyllura.

Përmes një video mesazhi, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit.

“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posaçme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”.

Sipas ministres respektimi i protokolleve është kusht i panegociueshëm pasi vetëm në këtë mënyrë mund të vijojnë punën pa ndërprerje bizneset duke i dhënë frymëmarrje ekonomisë.

Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”, tha Manastirliu.

Megjithatë me hapjen e këtyre aktiviteteve, nuk ka lajm të mirë për ata që duan të festojnë. Ministrja u shpreh se pub-et, diskot, clube-t apo të gjitha aktivitetet e këtij lloji do të vijojnë të mbeten të mbyllura.

“Kemi siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet tona mjekësore, furnizimet e nevojshme dhe medikamente në spitalet Covid, kemi përgatitur për çdo eventualitet, dyfishimin e kapaciteteve në shtretër duke përfshirë edhe spitalet rajonale, kemi shtuar testimet, gjurmimin dhe kemi fuqizuar ekipet e epidemiologëve të terrenit, për të zbatuar sa më me efikasitet strategjinë tonë të kufizimit të përhapjes së koronavirusit.”