Sport Video, dronë, shaka… Juventusi në duart e Sarrit

Video, dronë, shaka… Juventusi në duart e Sarrit

Cristiano Ronaldo do të mbërrijë të shtunën dhe, sigurisht, ai do të fillojë të postojë fotografitë e para nga seancat stërvitore, nën drejtimin e trajnerit të ri, Maurizio Sarri. Mendja e tij konkurruese kurrë nuk lodhet për të dominuar. Për momentin, në Instagram, gjurmohen vetëm pushimet e tij, ndërsa shokët bardhezinj kanë nisur të djersijnë në “Continassa”.

Juve ka përdorur topin që nga dita e parë e stërvitjes, nuk ka lënë pas edhe ndonjë mini-ndeshje mes grupit, ndërkohë që është përpjekur të tendosë muskujt duke u argëtuar. Video, dronë, shaka…, Juve është tashmë në duart e Sarrit.

Duke dëgjuar edhe lojtarët e mëparshëm të trajnerit të ri bardhezi, mund të merrni një konfirmim: puna me të fillon nga organizimi i vijës mbrojtëse, nga lëvizjet me dhe pa top, ndërtimi i aksioneve dhe puna me topin. Dëshmitarët janë Mirko Valdifiori dhe Daniele Croce. Nëse bardhezinjtë dëshirojnë të kuptojnë atë që Sarri do t’iu bëjë këto ditë, pse nuk i pyesin ata?

“Gazzetta dello Sport” e ka bërë këtë. Valdifiori shpjegon se ka një “fije të kuqe”, një linjë të zakonshme në stilin e punës së Sarrit: “Tek Empoli dhe Napoli, në ditët e para të stërvitjes përdori të njëjtën metodë. Në mëngjes, nganjëherë punon me dy grupe të ndara: mbrojtësit në njërën anë, mesfushorët dhe sulmuesit në anën tjetër”.

Croce thotë se Sarri ishte një nga trajnerët më pak të ashpër, që ka pasur në drejtim: “Ai ka ritme të larta në stërvitjet me topin. Ushtrimet me të nuk janë të mërzitshme, ju bën të ndiheni mirë, edhe pse e kuptoni se ato e kanë një qëllim”.