Këto janë momentet e fundit të jetës së Arben Bilalit, i ekzekutuar me breshëri kallashnikovi në derë të shtëpisë. Në pamjet filmike të siguruara nga Top Channel duket qartë se si 50-vjeçari, ish polic, u qëllua sapo zbriti nga një automjet.
Makina me të cilën udhëtonin atentatorët rezulton të jetë një Mercedez Benz me ngjyrë të errët, me targa false, të siguruara nga një mjet Fiat Punto, i raportuar i vjedhur dy vite më parë në qytetin e Vlorës.
Plot 14 plumba u zbrazën mbi Arben Bilalin, sipas një plani kriminal të mirëorganizuar dhe të mirë detajuar. Asnjëri nga vrasësit nuk ekspozohet dhe nuk del nga makina, e cila pas breshërisë, largohet qetësisht në drejtim të paditur. Ata qëllojnë egërsisht mbi Arben Bilalin.
Sipas policisë, nga çfarë kuptohet pas ekspertizës së pamjeve filmike, vrasësit janë të informuar se zona ishte e blinduar me kamera sigurie e për këtë arsye ata nuk rrezikojnë të dalin jashtë makinës. Prokuroria ka dyshime të forta se Arben Bilali, të cilit më herët i janë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë, është ekzekutuar për motive të hakmarrjes.
Për këtë shkak janë sekuestruar disa kamera sigurie nga disa biznese. Janë pyetur gjithashtu dhjetëra persona, që të gjithë dëshmitarë okularë, miq të viktimës, familjarë, por edhe të dyshuar dhe persona për të cilët ka dyshime se viktima ka patur konflikte më herët.
Për grupin e hetimit në sektorin kundër vrasjeve ka shumë mundësi që vrasja e Bilalit të jetë në vazhdën e shumë krimeve të tjera të startuara prej 1992-shit, por ende nuk ka prova konkrete, përpos informacioneve policore.
Këto të dhëna hedhin dritë mbi një konflikt mes fiseve Ymeri dhe Xhabafti, që sidoqoftë nuk janë të vërtetuara, por mbeten vetëm dyshime. Ajo që dihet është se në favor të hetimeve janë edhe dy dëshmi bindëse për prokurorinë, në të cilat tregohet se si përpara se të vritej, Arben Bilali është ndjekur hap pas hapi deri ditën kur ai sapo kishte pirë një kafe dhe miku i tij po e çonte në shtëpi.