Kryesore Virologia kineze që ka studiuar lakuriqët: Virusi nuk doli nga laboratori i...

Virologia kineze që ka studiuar lakuriqët: Virusi nuk doli nga laboratori i Vuhanit

Shi Zhengli është virologe kineze, me doktoraturë në Universitetin e Montpellier-it në Francë. Studiuese e njohur në Kinë (ka studiuar lakuriqët në shpella për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet),  u bë ndërkombëtarisht e famshme që nga janari i këtij viti, kur u ngrit për herë të parë teoria sipas të cilës koronavirusi doli nga Instituti i Virologjisë në Vuhan. Gjithçka nisi në tabloidët britanikë, u përhap nga rrjetet sociale të komplotit dhe frymëzoi edhe presidentin Trump për ta quajtur “virusi i Vuhanit”, “virusi kinez” dhe “Kung Flu” (flu-grip), një lojë fjalësh që përzien artet marciale me gripin.

E pyetur nga revista “Science”, shkencëtarja që ka marrë nofkën Batwoman i hedh poshtë këto teori, madje thotë se Trump duhet të kërkojë ndjesë.

“Pretendimet e presidentit Trump që SARS-CoV-2 ka dalë nga institucioni ynë kundërshtojnë plotësisht faktet, dëmtojnë punën tonë akademike dhe jetën tonë personale. Presidenti Trump duhet të na kërkojë falje”.

Me mbi 16 milionë të prekur në të gjithë botën dhe rreth 650 mijë viktima, koronavirusi është zhvendosur nga debati shkencor, në debatin politik. Zhengli thotë se e zbuloi virusin e ri me kolegët e saj në fund të vitit 2019, në pacientët me pneumoni me origjinë të panjohur. “Para atij momenti, ne nuk kishim qenë kurrë në kontakt me virusin, as nuk e kishim studiuar atë, as nuk ishim të vetëdijshëm për ekzistencën e tij”.

Shkencëtarja thotë se pasi e kanë studiuar, “SARS-CoV-2 ka të ngjarë ta ketë origjinën nga lakuriqët. Mund të ketë pësuar një evolucion në një ose më shumë bartës të ndërmjetëm, është përshtatur për njeriun dhe përfundimisht është përhapur në të si specie. Sidoqoftë, mbetet të përcaktohet se cili ishte bartësi i ndërmjetëm dhe si kaloi virusi te njerëzit”.

Ndër pyetjet që “Science” i ka drejtuar shkencëtares është edhe kjo: A ekziston mundësia që një lakuriq të ketë infektuar dikë në Vuhan? Nëse jo, ku mund të ketë ndodhur? Çfarë mendoni për teorinë që personat e infektuar që jetonin afër minierave të lakuriqëve e çuan infeksionin në Vuhan?

Përgjigje: “Ekzistojnë vetëm dy mundësi për transmetim midis kafshëve dhe specieve njerëzore. E para është që virusi ka kaluar direkt nga një lakuriq te një njeri, tjetra është se ka shërbyer si urë kalimi një bartës i ndërmjetëm. Për SARS-CoV-2, megjithëse hipoteza e parë nuk duhet të përjashtohet, probabiliteti është shumë i ulët. Kam tendencën të mbështes skenarin e dytë. Aty ku ka ndodhur kalimi midis kafshëve të ndërmjetme nuk është zbuluar ende shkencërisht. Ne e dimë nga përvoja me viruse të tjera, si ai HIV (virusi AIDS), se vendet ku shpërthejnë sëmundjet e mëdha zakonisht nuk janë të njëjtat me vendin e origjinës, d.m.th., nuk janë ato ku ka ndodhur kalimi nga kafsha te njeriu. Unë nuk mendoj se ky kalim ka ndodhur në provincën Vuhan ose Hubei. Sa për minierat, unë mendoj se ju po u referoheni shpellave të lakuriqëve në Tongguan, provincën Yunnan. Deri më tani, asnjë banor i zonës nuk është infektuar me koronavirus. Kështu që, teoria që pacienti zero jetonte pranë zonës së minierave dhe më pas udhëtoi në Vuhan është e gabuar”.

E pyetur për rolin e tregut të produkteve të detit në Vuhan, ajo thotë se ajo pikë mund të jetë thjesht vendi ku u lokalizua shpërthimi i parë.

“Disa nga pacientët e parë nuk e kishin frekuentuar këtë treg. Ne e kemi identifikuar SARS-CoV-2 atje në mostra të tilla si doreza dyersh, dysheme dhe tuba shkarkimi, por jo në mostra të kafshëve të ngrira. Tregu mund të ketë qenë vetëm një vend i mbushur me njerëz ku ndodhi shpërthimi”.

Zhengli ka reaguar edhe më parë lidhur me teorinë sipas të cilës virusi doli nga laboratori i Vuhanit. Në intervistë, ajo rrëfen momentin e parë kur u ngrit ky dyshim. Ajo ka marrë një telefonatë në 7:00 pasdite, më 30 dhjetor 2019, ndërsa ishte në një konferencë në Shanghai. “Ishte drejtori i Institutit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve virale, nga Vuhani, dhe më tha të lija gjithçka që po bëja dhe të kthehesha. Ata kishin gjetur një koronavirus të ri në dy pacientë me pneumoni”. Shi Zhengli tha se ai e ngriti i parë dyshimin: “A mund të ketë dalë nga laboratori ynë?” Pas kthimit në Vuhan, ajo thotë se verifikoi gjithçka dhe tha se kjo ishte e pamundur. “Unë mund ta garantoj këtë me jetën time”. Komuniteti shkencor e ka mbështetur pretendimin e saj, megjithëse nuk është kryer asnjë hetim i pavarur në Vuhan.

A mund të jetë kjo intervistë shteruese në lidhje me një temë kaq të debatuar?

Përgjigjet e Shi Zhengli për revistën “Science” janë koordinuar me Akademinë Kineze të Shkencave. Dhe për këtë janë dashur dy muaj. Biologu i Kërkimeve të Scriptps, Kristian Andersen, dyshon se përgjigjet janë “shqyrtuar me kujdes”, por vëren se “ato janë logjike dhe në përputhje me shkencën”. Sipas Richard Ebright, një biolog në Universitetin Rutgers, i cili i druhet një aksidenti laboratorik, përgjigjet “janë robotike, kopje të deklaratave të mëparshme nga autoritetet kineze”.

Në fund të intervistës, shkencëtarja konkludon: “Në njëzet vitet e fundit, koronaviruset kanë krijuar kaos në jetën e njeriut dhe ekonomi, unë do të dëshiroja të apeloja për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në hulumtimin mbi origjinën e viruseve që shfaqen. Shpresoj se shkencëtarët e botës të mund të punojnë së bashku“. / Corriere.it