Kryesore “Virusi do jetë me ne dhe gjatë verës”, Eugena Tomini: Nga fundi...

“Virusi do jetë me ne dhe gjatë verës”, Eugena Tomini: Nga fundi i majit lehtësohen masat

Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot se piku i shtrimit të pacientëve të prekur me koronavirus në spitalin Infektiv ishte më 25 mars.

Në një lidhje me News24, Tomini tha se Covid ka pasur një epidemi të butë në Shqipëri.

Sipas saj, “mbështetur në të dhënat aktuale, ne japim sugjerime dhe rekomandime për lehtësim të masave, që deri diku janë lehtësuar, por nëse nuk do zbatohen rregullat e distancimit fizik, zbatimi i kushteve të higjienës mund të kthehemi mbrapsht në kushtet e një karantine e cila kishte efekte madhore si në ekonomi”.

“Sipas projeksioneve e parashikimeve, java e 4 dhe e 5 përkoi me një pikë që qëndroi stabël me luhatje të vogla gjatë javës së 5, jemi në situatën e rrafshët me një intensitet të qëndrueshëm.

Kjo fazë e ka gjetur përballjen me sistemin shëndetësor nga një pikë në 25 mars me 83 pacientë të hospitalizuar, sot flasim për 43 pacientë në total të hospitalizuar, shpresoj të mbajë kjo kurbe një trend të qëndrueshëm edhe në javët në vijim“, tha specialistja.

Luhatjet janë jashtë pritshmërive?

“Nga strategjia e ndjekur me gjurmimin e thelluar të brezit të parë të kontakteve të ngushta dhe nga masat e marra, duke marrë shembull dhe nga gabimet e shteteve të tjera, zbatuam kundrejt pozitivitetet, jemi në fazën që epidemia Covid ka paraqitur epidemi të butë kundrejt planeve të veprimit të hartuara paraprakisht”.

Numri i të shëruarve në raport me të prekurit?

“Prej 5 ditësh numri i të shëruarve i ka tejkaluar raste aktivë të sëmurëve. 53% e rasteve që kanë qenë pozitiv janë rikuperuar”.

“Virusi do jetë me ne dhe gjatë verës”

Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik paralajmëroi qytetarët se Covid-19 do bashkëjetojë me ne deri kur të arrihet imunizimi i popullatës dhe të sigurohet vaksina.

Sipas saj, në një lidhje me Neës24, jemi herët për të thënë që e njohim plotësisht këtë virus.

Ndërsa për lehtësimin e masave tha se: “Mund të themi që deri në fund të majit dhe mund të kemi një liri më ndryshe”.

Lidhur me një rikthim të mundshëm në vjeshtë të infektimeve me koronavirus, Tomini u shpreh: “Prezenca e Covid do jetë edhe gjatë sezonit të verës, por një rikthim si çdo infeksion tjetër respirator, në vjeshtë sërish këto infeksione riaktivizohen, e duke mos pasur një vaksinë, apo mbrojtje sigurisht që prezenca e Covid do të jetë paralelisht me bashkëjetesën tonë, deri kur të kemi një mjet për parandalimin e tij e kur imuniteti i popullatës të jetë fuqizuar, sigurisht do jemi në pritje që 60% e popullatës te imunizohet e vetëm atëherë do mund të themi që Covid nuk do jetë më rrezik për shqiptarët dhe mbarë botën“.