Aeroportet e shteteve europiane të cilat kanë linja direkte fluturimi me Kinën, kanë filluar kontrollin e pasagjerëve kinezë të cilët vijnë nga provincat e prekura nga Koronavirusi.
“Unë këtu ndodhem në aeroportin Nënë Tereza, ku shtetasit kinezë vijnë kryesisht me dy linja fluturimi nëpërmjet një tranziti në në Turqi. Por megjithëse në vendin tonë, vijnë shumë shtetas kinezë, për të punuar dhe turizëm, ky aeroport ende nuk ka filluar kontrollet për koronavirusin“, raporton gazetari i TCH, Andi Bora.
Një nga aeroportet ka nisur këtë kontroll, është edhe ai Romës, ku personeli mjekësor po përgatitet për mbërritjen e pasagjerëve nga Kina për të parë nëse ka shenja të koronavirusit.
“Serbia do të kontrollojë të gjithë pasagjerët që mbërrijnë në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd përmes kamerave termike dhe është e gatshme të vendosë në karantinë këdo që është i prekur nga koronarovirusi i ri”, kështu deklaroi ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Loncar pas panikut në shtim për virusin e ri që është shfaqur në Kinë dhe po përhapet me shpejtësi.
Po ashtu, edhe Aeroporti Heathrow në Londër, i cili ka linjë direkte me Kinën, ashtu si Roma, ka përshtatur një hapësirë të veçantë, për të bërë kontrollin e pasagjerëve që vijnë nga Wuhan, dhe po ashtu për të informuar pasagjerët për simptomat.
Koronavirusi, ka mbi një muaj që qarkullon në provincën Wuhan në Kinë, duke infektuar qindra persona dhe duke lënë disa të vdekur, sipas të dhënave të zyrtarëve të shëndetësisë në Kinë.
Tre aeroportet më të mëdha në SHBA, në New York, Los Angeles dhe San Francisko, kanë filluar tashmë kontrollet e pasagjerëve që hyjnë në këto aeroporte dhe që shfaqin simptoma të tilla si temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.
Kjo shenjë në një aeroport në SHBA, u kërkon udhëtarëve që vijnë nga provinca e Wuhan në Kinës, që të kontrollojnë simptomat e koronavirusit.