Aktualitet Vlorë/ Atentat 36-vjeçarit që sapo kishte dalë nga burgu, plagoset dhe kunati

Vlorë/ Atentat 36-vjeçarit që sapo kishte dalë nga burgu, plagoset dhe kunati

Dy persona mbetën të plagosur pasditen e sotme në lagjen “Bashkimi” në qytetin bregdetar si pasojë e një atentati me kallashnikov, ndërsa pista e parë ku po hetohet është hakmarrja.

Të plagosurit janë Nikollaq Çepaj (Taullaraj) 36-vjeç, që kishte vetëm tre ditë që kishte dalë nga burgu për një plagosje në vitin 2018 dhe kunati i tij, Ronald Çepaj 27 vjeç.

36-vjeçari ishte ulur në një kafe së bashku me kunatin e tij, ndërsa autori e kishte monitoruar duke e ndjekur me kujdes dhe në momentin që ra errësira u afrua përpara lokalit duke ulur xhamin dhe më pas lëshoi breshërinë e kallashnikovit drejt tavolinës.

Nikollaq Çepaj (Taullaraj) ndodhet në gjendje të rëndë dhe u transportua në Tiranë, pasi e kapën pesë plumba në kokë, shpinë dhe legen, ndërkohë kunati i tij Ronald Çepaj ka marrë dy plumba në të dyja këmbët, por gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Në atë moment, pra rreth orës 18:20 minuta kur ndodhi ngjarja në lokal ndodheshin edhe persona të tjerë, por fatmirësisht nuk u plagosën nga breshëria. Xhaxhai i Ronald Çepajt tregoi se e pa të gjithë ngjarjen dhe autorin që uli xhamin e makinës dhe qëlloi.

Autori, i pamaskuar, me mjekër dhe kapele sipas dëshmitarëve u largua me shpejtësi me një makinë tip “Benz”, që u gjet dy orë më vonë e djegur në aksin e vjetër Vlorë-Fier me kallashnikovin e shkrumbuar brenda. Pista e parë që po hetohet lidhet me hakmarrjen kundër Nikollaq Çepajt, që ka ndryshuar mbiemrin, pasi më parë e ka pasur Taullaraj, por më pas mori të gruas. Në qershor të 2018 ai u arrestua për plagosjen e Eraldo Lazajt brenda një lokali në lagjen “Pavarësia”.