Sport Volejbolli mbyll sezonin pa kampionë, kryesuesit shkojnë në Europë

Volejbolli mbyll sezonin pa kampionë, kryesuesit shkojnë në Europë

Sezoni i volejbollit, për të dyja kategoritë, meshkuj dhe femra, konsiderohet i mbyllur. Federata Shqiptare e Volejbollit e ka bërë të ditur lajmin me një njoftim në faqen e saj zyrtare, ku saktëson se nuk do të ketë ekipe kampione. Erzeni për meshkuj dhe Mirdita për femra, dy skuadrat e vendeve të para në momentin e ndërprerjes, kanë të gjitha atributet e kampionit dhe mund të marrin pjesë në Kupat e Europës, nëse dëshirojnë, por atyre nuk do t’u dorëzohet trofeu i kampionit.

23 qershori ishte data e fundit për rinisjen kampionatit, e përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Volejbollit pak kohë më parë. Qeveria nuk e dha miratimin, duke i lënë të pezulluara aktivitetet në salla të mbyllura, ndaj dhe FSHV-ja ka marrë vendimin për mbylljen e sezonit. Mosdhënia e trofeut të kampionit justifikohet me faktin se volejbolli ka specifikën e vet dhe ajo që vendos për titullin është faza e play-off-it, që nuk u bë e mundur të zhvillohej. Sigurisht, Erzeni dhe Mirdita nuk janë aspak të kënaqur nga ky vendim, ndërkohë që duhet të vendosin, nëse do të marrin pjesë në Kupat e Europës apo jo.