Aktualitet Vrasja e 50-vjeçares në Mallakastër, babai i njërit prej autorëve: Djalin e...

Vrasja e 50-vjeçares në Mallakastër, babai i njërit prej autorëve: Djalin e pushkatoj me dorën time

Prindërit e Ervis Zotajt 26 vjeç, njëri prej autorëve të vrasjes së 50-vjeçares Drita Saliaj në Mallakastër, kërkojnë dënimin më të rëndë për djalin e tyre.

Duke folur për gazetarët jashtë Gjykatës së Fierit, ata thanë se nuk dinin asgjë për krimin ku ishte përfshirë djali i tyre.

“Policia erdhi në shtëpi rreth orës 04:00, kërkonin djalin…Ne nuk dinim asgjë”, ka thënë babai i 26-vjeçarit, duke sqaruar se djali i tij më pas u gjet i fshehur në shtëpinë e një kushëriri të tyre që jeton në Greqi.

“I lutem shtetit të marrë masat më të rënda ose ta sjellë në mes të Mallakastrës ta pushkatoj me dorën time”, është shprehur i ati.

Të pyetur nga gazetarët nëse i druhen hakmarrjes nga familjarë të viktimës, prindërit e Ervis Zotajt shprehen: “Atë nuk e dimë”.

Ata tregojnë se nuk u lejuan që të merrnin pjesë as në varrimin e 50-vjeçares Drita Saliaj.

Tre të rinjtë Luis Saliaj 16 vjeç, Sindi Shehaj 16 vjeç dhe Ervis Zotaj 26 vjeç shkuan për të grabitur në banesën e Drita Saliajt në Mallakastër më datë 5 Janar. Aty u përleshën me viktimën dhe më pas e lidhën dhe e hodhën në rezervuar, duke i shkaktuar vdekjen 50-vjeçares. Trupi i pajetë i të ndjerës u gjet dy ditë më vonë, më 7 Janar.

Adoleshenti Luis Saliaj është nipi i bashkëshortit të viktimës. Së bashku me dy shokët e tij, në prani edhe të psikologut, kanë pranuar krimin e rëndë.