Aktualitet Vrasja e Altin Alikajt në Vlorë, policia arreston autorin e dyshuar

Vrasja e Altin Alikajt në Vlorë, policia arreston autorin e dyshuar

Policia e Vlorës ka mundur të zbardhë ngjarjen e ndodhur më 19 Shkurt, kur 46-vjeçari Altin Alikaj u gjet i vrarë me armë zjarri në banesë nga nëna e tij.

Pas hetimeve për këtë krim, uniformat blu arrestuan autorin e dyshuar dhe shokun e tij.

Në pranga ka rënë Shazi Ahmetaj 23 vjeç, nga Kolonja e Lushnjes i dyshuar si vrasës. Ai është person person me precedent të mëparshëm penal i dënuar për drogë dhe vjedhje.

Gjithashtu është arrestuar edhe shoku i tij, Mateo Kiptiu 30 vjeç, edhe ky nga Kolonja e Lushnjes, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar 23-vjeçarin që të fshihej dhe i ka marrë me qira një makinë që të lëvizte.

Gjatë arrestimit, Shazi Ahmetajt iu gjet edhe një sasi droge, rreth 40.5 gram heroinë.

Vazhdojnë veprimet hetimore për të përcaktuar motivet e këtij krimi të rëndë, si dhe për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Përkrahja e autorit të krimit”.

Altin Alikaj u gjet i pajetë në banesë një javë më parë nga nëna e tij, ndërsa në trupin e viktimës u gjetën plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Alikaj ishte shpallur i humbur prej datës 11 Shkurt.