Bota Vrasja e ish-kryeministrit japonez, policia pranon mangësitë për ruajtjen e sigurisë

Vrasja e ish-kryeministrit japonez, policia pranon mangësitë për ruajtjen e sigurisë

Policia japoneze ka pranuar se ka patur gabime dhe të meta në lidhje me sigurinë e ish-Kryeministrit të Japonisë Shinzo Abe, i cili u vra pak ditë më parë gjatë një takimi elektoral në qytetin Nara.

“Nuk mund të mohohet që ka patur probleme me sigurinë”, tha shefi i policisë së qytetit Nara.

“Është urgjente që ne të kryejmë një hetim të plotë për të sqaruar se çfarë ka ndodhur”, theksoi ai.

Ndërsa analistët mendojnë se vrasja e Abe mund të rrisë mbështetjen për Partinë Liberale Demokratike, ku Shinzo Abe ishte figurë udhëheqëse dhe kishte shumë ndikim.

Tetsuya Yamagami 41 vjeç qëlloi me armë zjarri prapa shpine ish-Kryeministrin japonez, duke e lënë të vdekur.

Policia japoneze thotë se autori kishte pakënaqësi ndaj një organizate specifike. Autori, Yamagami, besonte se Shinzo Abe ishte i lidhur me një grup fetar dhe që sipas tij kishte shkatërruar financiarisht nënën e tij.

41-vjeçari pranoi në polici se armën e vrasjes e kishte krijuar vetë. Tetsuya Yamagami kishte shërbyer për 3 vjet në marinën japoneze.