Aktualitet Vrasja e polici në Mal të Zi, tre të arrestuar nga Shqipëria

Vrasja e polici në Mal të Zi, tre të arrestuar nga Shqipëria

Drejtoria e policisë malazeze bëri të ditur se tre shtetas të Shqipërisë, janë përfshirë në vrasjen e një oficeri të policisë kufitare të Malit të Zi.

Policia tha se polici, Milutin Lekoviç, vdiq nga plagët që pësoi në qytetin bregdetar Igalo, afër kufirit me Kroacinë.

Sipas policisë, oficeri u qëllua në kokë nga një armë zjarri, e cila dyshohet se është shkrepur nga ulësja e pasme e makinës zyrtare të policisë nga njëri prej tre personave, të cilët polici Lekoviç, i kishte ndaluar për shkak të mungesës së dokumenteve dhe ishte drejtuar në stacionin policor për identifikim e tyre.

Të dyshuarit kishin ikur me pas në përpjekje për të kaluar kufirin me Kroacisë, por pas një kohe të shkurtër u arrestuan dhe iu dorëzuan gjykatës përkatëse në Podgoricë.

Policia malazeze, tha se të tre shtetasit e Shqipërisë, nga Malësia e Madhe, janë pjesëtarë të një familjeje, dy vëllezër dhe nëna e tyre.

Personi që pretendohet së qëlloi policin, thuhet se është i kërkuar edhe në Shqipëri që nga viti 2018 nën dyshimet për një vrasje, një tentim vrasjeje dhe për armëmbajtje pa leje.

Zyrtarët më të lartë të Malit të Zi, presidenti Milo Gjukanoviç dhe kryeministri Dushko Markoviç, ngushëlluan familjen e pjesëtarit të policisë.