Aktualitet Vrasjet në Shkodër/ Artan Hoxha nxjerr fotot e grupit kriminal që vepron...

Vrasjet në Shkodër/ Artan Hoxha nxjerr fotot e grupit kriminal që vepron në qytet

Gazetari Artan Hoxha ka publikuar në emisionin “Opinion” disa foto, ku duken një grup të rinjsh të armatosur rëndë dhe me maska.

Sipas tij ata janë pjesë e një grupi kriminal që vepron në Shkodër, dhe policia ka informacion për aktivitetin e tyre.

Hoxha sqaroi se këto foto i posedon edhe policia, por i ka parë dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Shkodrës.

Ai theksoi se nëse policia do të kishte punuar më mirë mund të identifikonte autorët e disa prej vrasjeve që kanë tronditur qytetin gjatë 8 muajve të fundit.

“Bandat e Shkodrës kanë dalë me emër dhe me figurë dhe na kanë kërcënuar, s’kemi kërkuar mbrojte kemi vazhduar punën. Klodiana Lala ka qenë në Elbasan, të njëjtën gjë ka kaluar. Ne nuk jemi kundërshtarë ne jemi aleatë”, tha Hoxha në debat me zëvendës ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.