Aktualitet Vritet me armë 23-vjeçari shqiptar në Itali

Vritet me armë 23-vjeçari shqiptar në Itali

Një 23-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Turbigo të Milanos. Ngjarja ka ndodhur pas një sherri në një festë që po zhvillohej në një bar. Sipas asaj që shkruajnë mediat, autor i kësaj ngjarjeje është një 34-vjeçar shqiptar, i cili ka qëlluar me armë ndaj dy bashkatdhetarëve. Për pasojë plumbat i morën jetën 23-vjeçarit dhe lanë të plagosur një 30-vjeçar shqiptar tjetër. Mësohet se vrasësi është vënë në prangat e policisë.

Sipas karabinierëve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të së premtes pranë një bari. Mësohet se shqiptarët janë zënë për motive të dobëta. Autori ka nxjerrë armën dhe fillimisht ka shtënë në drejtim të 30-vjeçarit, duke e lënë të plagosur në këmbë. Personat e pranishëm në vendin e ngjarjes kanë rrethuar autorin, i cili ka qëlluar edhe disa herë të tjera dhe një plumb ka prekur 23-vjeçarin. Ky i fundit u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.

Dyshohet se para se të merrte armën në dorë, autori 30-vjeçar është rrahur nga disa prej të pranishmëve në festë. Mësohet se arma e përdorur ishte shpallur e humbur që prej vitit 2017 në provincën e Komos. Identitetet e shqiptarëve nuk janë bërë ende publike.