Kryesore Zaev: Duam BE-në, jo pakte apo zonë ekonomike

Zaev: Duam BE-në, jo pakte apo zonë ekonomike

Pas deklaratës së presidentit Ilir Meta dhe atij të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski për të mos pranuar asnjë lloj ideje tjetër si alternative për të zëvendësuar procesin e integrimit në Bashkimin Europian, edhe kryeministri Zoran Zaev ka hedhur poshtë mundësinë që Bashkimi Evropian po përgatit një “zonë ekonomike evropiane” për vendet e  rajonit.

Duke folur para simpatizantëve të LSDM-së, Zaev theksoi qartë se nuk do të pranojë asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

“Vendi ynë është në Bashkimin Europian dhe nuk do të pranojmë asnjë ofertë tjetër. E gjithë bota flet për ne për atë që kemi bërë. Ne kemi përmbushur detyrimet tona dhe e kemi merituar çeljen e bisedimeve. Ne duam atë që meritojnë dhe asgjë tjetër. Nuk pranojmë asnjë alternativë tjerë, pakte apo partneritet apo projekte ekonomike. Ne jemi për anëtarësim të plotë në BE”, tha Zaev.

Kryeministri maqedonas shprehu edhe njëherë zhgënjimin për vendimin e këshillit Europian, megjithatë këmbënguli se ai nuk do te dorezohet deri në arritjen e qëllimit final, anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Union.

Nga ana tjetër, kreu partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, në përgjigje të deklaratës së Zoran Zaev, tha se Maqedonia e Veriut nuk e mori datën për shkak të korrupsionit qe ka mbërthyer vendin.