Rajoni Zaev i përgjigjet Francës: Mos dënoni shembullin pozitiv të Ballkanit

Zaev i përgjigjet Francës: Mos dënoni shembullin pozitiv të Ballkanit

Duke komentuar qëndrimin e Francës për datën e negociatave, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka dërguar mesazhin se aspirata e Shkupit nuk është që menjëherë të bëhet anëtare e BE-së, por siç tha, “të fitojmë hapin e radhës me negociatat”.

Ai është shprehur i zhgënjyer, siç tha, për shkak që një rrëfim i bukur i Ballkanit nuk po shpërblehet nga Evropa.

“Nuk presim që një shembull pozitiv nga Ballkani dhe kontinenti i Evropës, të dënohet. Presim të shpërblehet që t`i motivojmë edhe liderët tjerë që të vazhdojnë në këtë rrugë”.

Kryeministri slloven Marjan Sharec ishte i prerë. Maqedonia e Veriut meriton çeljen e negociatave, por siç tha, ende nuk i ka të qarta qëndrimet e të gjitha vendeve anëtare.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ka mbetur edhe një javë, dhe brenda javës mund të ndodhë gjithçka. Por, besoj se do të mbretërojë arsyeja se Maqedonia e Veriut është e pjekur për çeljen e negociatave”.

Gjatë vizitës, Kryeministri slloven është takuar edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi kurse ka vizituar edhe kontigjentin e policisë sllovene në kufirin jugor të Maqedonisë së Veriut.