Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dha këtë të mërkurë për Top Channel, intervistën e parë për një televizion shqiptar.
Gazetari Muhamed Veliu e pyeti për arratisjen e ish-kryeministrit Gruevski, zgjedhjet presidenciale të prillit dhe kandidatin e përbashkët që partia e Zoran Zaevit ka me partinë më të madhe shqiptare, BDI-në.
Po ashtu, Zaev flet edhe për çështjen aq shumë të debatueshme të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
TCH: Zoti kryeministër, si do t’i përshkruani marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë?
Zoran Zaev: Falemnderit për ftesën , kënaqësi të jem i ftuar në televizionin tuaj. Përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë dhe audiencën tuaj. Shqipëria për ne është vendi më mik që ne kemi. Kjo miqësi është 100% miqësore, duke ndihmuar njëri-tjetrin për të ecuar përpara drejt të ardhmes sonë, me qëllimin final që qytetarët tanë të jetojnë një jetë më të mirë. Përmes kësaj miqësie, ne kemi përmirësuar shumë gjëra, si për shembull “one stop shop”-in, si dhe duke deleguar besim në institucionet tona. Është rritur shkëmbimi tregtar me 11.5% vitin e shkuar. Kemi kapacitete të mëdha për të arritur të tjera gjëra. Po ashtu duhet të inkurajojmë investitorët e dy vendeve tona për të fituar. Nga ana tjetër, kjo do të thotë më shumë vende pune për qytetarët tanë, një GDP më të madhe, sikurse edhe eksporte të reja për kompanitë tona.
TCH: Qershori bart një datë të rëndësishme për vendin tuaj dhe Shqipërinë, pasi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së do të diskutohet çelja e negociatave për anëtarësim. A besoni se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të marrin këtë status?
Zoran Zaev: Të dyja vendet tona kanë pritur për një kohë të gjatë. Maqedonia e Veriut është një vend kandidat që prej vitit 2005. Padiskutim që është një moment me rëndësi për ne, për t’ia arritur këtij objektivi jo vetëm stategjik për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë. Kjo do të thotë një jetë më e mirë për qytetarët tanë. Me hapjen e kapitujve të kërkuar nga BE-ja rriten kapacitetet, e mbi të gjitha standardet ekonomike. Prandaj them që ky është qëllimi final për të dyja qeveritë tona dhe shoqëritë. Ne po shkojmë në atë drejtim. Mendoj se ne kemi mundësi të mira, por varet nga ne se çfarë do të mund të arrijmë deri në vendimin e qershorit. Shpresoj që normalizimi i situatës në Shqipëri do të ndodhë. Po ashtu, në vendin tim dialogu do të vijojë me Parlamentin për reformat e fundit që janë në proces. Besoj shumë se Komisioni Europian do të japë një vendim pozitiv. Ata duan të lënë një trashëgimi në fund të mandatit. Po ashtu, vendet europiane shpresoj se do të jenë pozitive, pasi zgjedhjet për në Parlametin Europian do të kenë mbaruar, e kështu nuk do të ketë një presion të madh nga brenda. Për refoma të mëtejshme dhe një të ardhme europiane, këto s’do të jenë të mundura pa pasur një zgjerim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pra, çdo gjë është gati. Varet nga ne. Shpresoj se të gjithë aktorët në shoqëritë tona do të punojnë për të ndihmuar vendin e tyre për çeljen e negociatave me unionin europian. Kjo do të thotë të jemi bashmë, ne si qeveri me opozitën, por edhe me shoqërinë civile e qytetarët.
TCH: A keni plane konkrete me qeverinë shqiptare për ta shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të mallrave e njerëzve në të dyja vendet?
Zoran Zaev: Ne duhet të përmirësojmë të gjitha projektet infrastrukturore që na lidhin. Ne kemi ndërtuar një projekt 450 milionë eurosh të “Kicitohrid” që na lidh me Shqipërinë. Ne, së shpejti do të nisim një linjë hekurudhore me vlerë 530 milionë euro, që do të lidhë Durrësin me Shkupin, e që shkon më tej deri në Detin e Zi, në Bullgari, e më pas drejt Stambollit. Ai “one stop shop” që ne kemi ndërtuar dhe shpresoj të hapet në verë, do të ulë me minimumin 50% kohën e shpenzuar në kufi prej qytetarëve, por gjithashtu edhe të kamionëve me mallra. Ne kemi punuar sesi vendet respektive të delegojnë kompetenca njëra-tjetrës. Si për shembull, nëse AKU-ja në Shqipëri deklaron se ushqimet që do të hynë në Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria janë të pastra dhe të konfirmuara sipas standardeve, kaq mjafton për ne. Do ta pranojmë këtë certifikatë, po ashtu edhe nga ana tjetër. Ne po punojmë në hapjen e një tjetër pike kufitare në rrugën e Arbrit, e kjo do ta bëjë më të lehtë kalimin në të dyja anët. Nëse ne shtojmë bashkëpunimin rajonal mes 6 vendeve tona, kjo do të vlerësohet shumë nga BE-ja për të punuar më mirë me ne, e kjo do të kishte shumë përfitime për 6 vendet ballkanike.
TCH: Gjatë takimit që patët me kryeministrin Edi Rama, a i shprehët shqetësimin tuaj në lidhje me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, i cili përdori Shqipërinë si një derë largimi?
Zoran Zaev: Jo. Unë i di të gjitha detajet, pasi vendi ynë mik, Shqipëria, na ka njoftuar me detaje për gjithçka ndodhi një ditë më pas. Miqtë ndajnë informacione. Është diçka që është bërë me Ambasadën hungareze, jashtë asaj që mund të bënte Shqipëria. Hungaria është një vend mik me ne, por do të vijojmë të luftojmë për zbatimin e ligjit ndërkombëtar, pasi Gruevski është një person i dënuar përmes një procesi transparent në Maqedoninë e Veriut. Pati monitorim nga institucionet ndërkombëtare që punojnë në Shkup. Me atë arratisje, ai konfirmoi që është fajtor dhe ka disa çështje të tjera në gjykatë. Ne morëm një mesazh shumë të keq nga një vend anëtar në NATO dhe BE, si Hungaria, gjë që nuk ishte aspak e këndshme për ne, por do ta vijojmë miqësinë e mirë me Hungarinë, pasi besojmë në sistemin ligjor dhe posaçërisht ligjin ndërkombëtar. Shpresoj se do të dominojë shteti ligjor.
TCH: A mendoni se ish-kryeministri Guevski pati mbështetjen e ndonjë personi me lidhje politike në Shqipëri, për të hyrë brenda në Ambasadën hungareze, të kërkonte azil, e më pas të largohej nga Shqipëria?
Zoran Zaev: Nuk e kam një provë të tillë. Dua të jem i kujdesshëm me çdo person në vendin tuaj, pasi Shqipëria është mikja jonë.
TCH: Në të gjithë këtë histori, besoni se kanë dështuar autoritetet e sigurisë në vendin tuaj dhe Shqipëri, për ta ndaluar Gruevskin për t’iu shmangur drejtësisë?
Zoran Zaev: Jo. Unë nuk mendoj kështu. Unë kam zemërim në zemrën time, pasi dikush brenda vendit – që nuk është shtetas i yni dhe as shqiptar – e ndihmoi atë. Ai në ditët e fundit ishte një njeri i lirë. Ai nuk e kishte ende një konfirmim për të shkuar në burg. Por, pas dy ditësh vendimi u shpall. Ai mund të përdorte pasaportën të udhëtonte brenda vendit, pasi ishte qytetar i lirë. Ishte po ashtu transparent, pasi çdo ditë vinte në Parlament dhe bënte vrap përgjatë lumit Vardar, e shkonte rregullisht për atë proces në gjykatë. Atë mbrëmje organizoi arratisjen, por dua të jem i kujdesshëm kur flas për atë, sepse të flasësh pa prova nuk është diçka serioze.
TCH: Kryeministër, sa e rëndësishme ishte për vendin tuaj marrja e ftesës për anëtarësim në NATO?
Zoran Zaev: Ishte përmbushje e qëllimit tonë të parë strategjik, pasi më shumë se 82% e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin. Për ne si Maqedoni e Veriut do të thotë më shumë stabilitet, por edhe për të gjithë rajonin. Ky stabilitet përkthehet në paqe të brendshme, siguri, dhe më së shumti, në fund të ditës investime, rritje të GDP-së dhe punësimi ka një efekt shumë pozitiv. Jemi shumë të lumtur, pasi Shqipëria ishte një nga vendet e para që ratifikoi protokollin e NATO-s. E vlerësojmë shumë. Edhe njëherë tjetër është konfirmim i miqësisë së pastër dhe për ne ishte një mesazh inkurajues. Ju jemi shumë mirënjohës për atë. Ne kemi deklaruar 625 milionë euro investime në vendin tonë dhe ky është një rekord i ri, pasi Gruevski ishte famoz për investimet e huaja. Ne i kemi dyfishuar investimet e huaja, krahasuar me vitin e tij më të mirë, në 2011-n. Ne kemi 4 herë më shumë investime të huaja krahasuar me vitin e shkuar. GDP-ja përpara 21 muajve, kur erdha si kryeministër, ishte minus 1.7%, tani është 3.7% dhe papunësia është ulur me 5%, ndërsa rrogat u rritën 8%. Janë rezultate pozitive që do të reflektohen edhe në Shqipëri, në Kosovë, në Serbi dhe në të gjithë rajonin. Ne duhet të ecim në këtë drejtim. Nëse çelen negociatat për anëtarësim, ky do të jetë një “muaj mjalti” për vendet dhe qytetarët tanë. Jemi të kënaqur për këtë, pasi jemi bashkë si maqedonas, si shqiptarë, si turq, si serb, si romë, pra të gjithë bashkë që tregon një bashkim.
Ndryshe nga ajo që po ndodh në Shqipëri ne kemi një dialog me opozitën. Që prej 21 muajsh nuk jam më në opozitë dhe kurrë nuk flas kundër vendit tim. Në atë kohë ne bëmë oponencë, ne protestuam, por kurrë kundër vendit. Edhe opozita shqiptare duhet ta fusë vendin në pozita për çeljen e negociatave për anëtarësim. Jam mik i të gjithë shqiptarëve dhe kam një ndjesi jo të mirë për atë që po ndodh këtu. Uroj shumë për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut, pasi kjo është e vetmja mundësi. Kam qenë në opozitë për 11 vite dhe vetëm përmes dialogut arritëm të ndryshojmë qeverinë dhe të përmbushnim synimet tona, etj. Është koha të punojmë me qeverinë dhe jo të shkatërrojmë qëllimet e qeverisë.
TCH: Ftesa për anëtarësim në NATO, besoni se do ta minimizojë ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut?
Zoran Zaev: Ne jemi miq të mirë me Republikën Federale Ruse. Nuk ka ndonjë gjë kundër integrimit tonë në BE, por janë kundëra zgjerimit të NATO-s dhe për këtë kanë pasur komente publike. Por, ne nuk kemi ndonjë alternativë tjetër përveç NATO-s dhe ata duhet ta kuptojnë këtë. Ne do ta vijojmë bashkëpunimin me Rusinë, pasi kemi interes të bashkëpunojmë, sikurse ata me ne. Ne si vend i vogël kemi interes të jemi miq me të gjithë.
TCH: Deri diku kryeministër, ju keni qenë në një pozitë jo të lehtë kur negocionit emrin me Greqinë. A pati ndërhyrje ruse gjatë referendumit?
Zoran Zaev: Unë e kam komentuar çfarë ndodhi atë kohë dhe nuk mund ta mbështes me prova konkrete ndikimin rus gjatë referendumit. Ne e dëbuam një diplomat, sepse ai shkoi shumë larg me ato që parashikon Konventa e Vjenës. Ne e kapëm në veprim e sipër, treguam provat dhe e dëbuam atë diplomat. Natyrisht edhe Greqia e bëri atë gjë, por edhe ne e bëjmë në mënyrë të kujdeshme dhe kjo u arrit me marrëveshje nga të dyja palët.
TCH: Qyteti Veles në Maqedoninë e Veriut u kthye në kryeqytetin e “Fake News” gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2016, e për këtë janë dy hetime në SHBA dhe vendin tuaj. Nga informacionet që dispononi, a ka të dhëna se Rusia luajti rolin e vet në këtë makineri lajmesh të rreme?
Zoran Zaev: “Fake News” qëndron lart në tematikën e debateve botërore dhe ato të rajonit tonë, ndaj duhet ta luftojmë atë me median, standardet e saj, lajme të mirë provuara, pasi “Fake News” nxit nacionalizmin, radikalizmin. Besoj shumë se vendet e rajonit duhet të punojnë bashkërisht në luftën kundër “Fake News”, pasi në disa raste lajmet e rreme ndërtojnë agjenda të mëdha të disa vendeve, përfshi këtu agjendat nacionaliste duke shkaktuar dëme për të ardhmen e vendit.
TCH: Si po shkon procesi i zgjedhjes së presidentit të ri në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahet më 21 Prill?
Zoran Zaev: Ne jemi duke u përballuar me procesin e finalizimit të kandidatëve, të cilët do të jenë 3. Kandidati ynë është i përbashkët, i mbështetur nga 31 parti politike, numër që do të shtohet në ditët e ardhshme. Një gjë e bukur që po ndodh në vend, për të cilën unë jam shumë krenar, lidhet me faktin se maqedonasit, shqiptarët, turqit dhe serbët, përmes partive politike dhe të tjerat janë bërë bashkë duke mbështetur këtë kandidat që na bashkon edhe ne. Stevo Pendarovski është kandidati ynë dhe na çon një hap përpara në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë. Unë e di që ai do të fitojë dhe shpresoj të kemi një fushatë komode, përmes rregullave të qarta si kristali, e kështu do të zgjidhet presidenti i pestë i Maqesonisë së Veriut.
TCH: Ju thatë që tashmë ky kandidat gëzon një mbështetje të gjerë. Por në vitin 2014, ky kandidat nuk u mbështet nga BDI-ja e Ali Ahmetit, ndërsa tani po. Nëse ky kandidat do të zgjidhet president, a do të mund të jetë i respektuar dhe një përfaqësues i denjë i shqiptarëve?
Zoran Zaev: Po. Ai është një kandidat me një mbështetje të madhe te shqiptarët. Kandidati i tretë është nga komuniteti etnik shqiptar. Por z. Pendarovski ka një mbështetje 15% më shumë nga shqiptarët, krahasuar me profesorin shqiptar, z. Reka. Kam një opinion pozitiv për atë, por nuk është njeriu që i bashkon të gjithë njerëzit në vendin tonë. Nuk ndodh shpesh që një kandidat gëzon një mbështetje kaq të madhe nga shqiptarët, e gjithashtu minoritetet e tjera në vendin tonë. Maqedonasit janë shumë mbështetës gjithashtu, falë mishërimit për të drejta të barabarta. Ai është nje përson që punoi shumë për proceset tona integruese. Tani ai është koordinator i NATO-s për Maqedoninë e Veriut.
TCH: Ditët e shkuara keni pasur një takim me kreun e opozitës, z. Mickovski, ku nuk ishin të ftuar partitë shqiptare në koalicion dhe opozitë. Përse nuk ishin ftuar?
Zoran Zaev: Sepse ne nuk kemi problem me të tjerët, por vetëm me z. Mickovski, nga partia më e madhe e opozitës, e për këtë tentojmë të gjejmë zgjidhje. Ne kemi një besim të plotë brenda koalicionit, si dhe bashkëpunim me partitë më të mëdha shqiptare në opozitë. Për të tjera çështje ne do ta hapim dialogun për ato ligje që duan 2/3-tat e votave në Parlament dhe na duhet bashkëpunimi i Ziadin Selës, si dhe BESË-s së Bilal Kasamit. Ne shpresojmë se ata do të jenë mbështetës, pasi është një prej kushteve të BE-së për të çelur negociatat. Kohët e fundit ne kemi pasur shumë probleme me z. Mickovski, që lidheshin me referendumin, ndryshimet kushtetuese kur ne ishim të gjithë bashkë, por ata qëndruan jashtë. Kjo nuk është një qasje e drejtë për vendin. Ne kemi rifilluar dialogun dhe shpresojmë të gjejmë zgjidhje për dy ligje për prokurorin special dhe shërbimin sekret të sigurisë. Shpresoj të votohen me konsensus në Parlament. Nëse ka dialog, kjo do të thotë inkurajim për më shumë investime në Maqedoninë e Veriut.
TCH: Le të ndalemi te Kosova. Si e shikoni idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?
Zoran Zaev: Nuk është diçka e lehtë për lidershipin e Kosovës dhe Serbisë. I inkurajoj ata të vijojnë dialogun. Kjo është me rëndësi dhe këtë e them pas ekperiencës që pata në dialogun me Greqinë. Me sinqeritet të plotë dua t’i inkurajoj që dialogu të vazhdojë dhe do të arrihet në një zgjidhje. E ndërsa ata po flasin, ne nuk duam të ndërhyjmë, por vetëm duam të arrihet një marrëveshje pozitive e pranueshme për shqiptarët në Kosovë dhe serbët në Serbi. Marrëveshja me patjetër duhet të sjellë paqe në Ballkan dhe bashkëpunimin ekonomik, si dhe integrim të të gjithë rajonit në BE. Ky është qëllimi i përbashkët dhe duhet të tregojnë kujdes për fqinjët, nga ajo që do të arrijnë.
TCH: Korrigjimi i kufijve, kryeministër, do të rriste stabilitetin apo destabilitetin në rajon?
Zoran Zaev: Nuk dua ta komentoj atë, pasi ashkush nuk po e shtron bisedën në këtë rrafsh dhe ka vetëm fjalë. Nëse do të komentoja, kjo nuk do të tregonte se jemi miq të ndershëm. Le t’i lemë. Ata e kanë detyrimin. Komuniteti ndërkombëtar është përfshirë në këtë proces, si SHBA dhe BE, dhe nëse shtojmë komentet tona kjo nuk e bën të lehtë negocimin e atyre që po e bëjnë. Duhet t’i lemë të gjejnë zgjidhje.
TCH: Kryeministër Zaev, shumë kënaqësi t’iu intervistoja dhe shumë falemnderit.
Zoran Zaev: Kënaqësia ime të isha i ftuari juaj. Falemnderit!