Aktualitet Zbardhet dëshmia e gjyqtarit: Paratë janë të djalit, kam dokumente

Zbardhet dëshmia e gjyqtarit: Paratë janë të djalit, kam dokumente

Zbardhet dëshmia e gjyqtarit Skënder Damini të shoqëruar nga policia dhe më pas të liruar pas kontrolleve të ushtruara në banesën e tij dhe dy kolegëve që dhanë vendimin për Dritan Dajtin.

Ka qenë avokati i tij që ka rrëfyer dëshminë e Daminit pas shoqërimit. Mësohet se gjyqtari ka thënë se paratë e gjetura në banesë janë të djalit të tij dhe disponon dhe dokumentacionin e tyre.

“Gjyqtari ka firmosur si të ligjshëm kontrollin e banesës meqenëse ishte me urdhër gjykate”, tha avokati i tij.

Për sa i përket vendimit për Dritan Dajtin, gjyqtari ka marrë gjithë përgjegjësinë.

“Paratë e gjetura janë të djalit dhe disponoj të gjithë dokumentacion e tyre. Ndërsa 8 fishekët e gjetur janë të pistoletës që e mbaja deri para pak kohësh sipas ligjit dhe e kam dorëzuar. Lidhur me vendimin për të akuzuarin, ka qenë bindja ime personale nga leximi i dosjes”, ka dëshmuar gjyqtari Damini.

Policia deklaroi se nga kontrollet janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese.