Aktualitet Zbardhet dosja e 45 të arrestuarve në Elbasan: Të infiltruarit futën në...

Zbardhet dosja e 45 të arrestuarve në Elbasan: Të infiltruarit futën në grackë shpërndarësit e drogës

“Unë e mbaj të zgjedhme se e pi vetë nai vizë”, kështu i mburrej një nga shpërndarësit e drogave të forta në Elbasan një agjenti të infiltruar, gjatë kohës që po i shiste dozën e radhës.

Hetimi i Prokurorisë së Elbasanit, që zgjati rreth 3 muaj çoi në pranga 45 persona dhe 7 të tjerë në kërkim, si pjesë e një rrjeti që shpërndanin lëndë narkotike të llojeve të ndryshme në këtë qytet.

Ata dolën këtë të diel përpara Gjykatës së Elbasanit, teksa Prokuroria në kërkesën e saj për masë sigurimi, rendiste një sërë episodesh të blerjeve të kryera nga agjentë të infiltruar dhe bisedat që ata kryenin.

Sipas të dhënave nga dosja hetimore që Tv Klan ka siguruar, lënda shitej nëpër lagjet e qytetit dhe shpërndarësit qëndronin pranë banesave ku mbanin dozat. Për të humbur gjurmët ata lëviznin me blerësit disa metra nëpër rrugica, teksa shqetësohen edhe për policinë.

Në një nga bisedat e regjistruara nga agjenti i infiltruar, shpërndarësi e pyet atë nëse pa policë në cepin e rrugës, për t’u siguruar.

Droga shpërndahej edhe nga makina në makinë, apo duke iu dorëzuar blerëseve nga poshtë derës së banesave që përdoreshin si baza, për të shmangur vëzhgimet.

Mes të arrestuarve janë edhe biznesmenë si dhe drejtues të grupeve. 11 nga të arrestuarit kanë qenë të dënuar edhe më parë për çështje droge.

Në kuadër të këtyre hetimeve, nga kontrollet e ushtruara, u gjetën sasi vlerash monetare në lekë, euro dhe franga, si dhe mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni./Tv Klan