Aktualitet Zbardhet drafti: Gjoba dhe burg deri në 15 vjet kush thyen rregullat...

Zbardhet drafti: Gjoba dhe burg deri në 15 vjet kush thyen rregullat e karantinës

Në kuadër të ashpërsimit të masave kundër përhapjes së pandemisë globale të COVID-19, dy deputetet e mazhorancës, Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka, i kanë propozuar Komisionit të Ligjeve ndryshime në Kodin Penal, me qëllim ashpërsimin e masave për të gjitha ata qytetarë që thyejnë masat kufizuese të aplikuara nga qeveria shqiptare.

Në propozimet e dy deputeteve, parashikohen qartë aplikimet e masave të forta për të pabindurit. Konkretisht për të gjithë ata qytetarë, që veprojnë kundër rregullave apo masave të marra për gjendjen e jashtëzakonshme do konsiderohet vepër penale dhe do të dënohen me gjobë dhe burgim deri në gjashtë muaj. Përsëritja e të njëjtit veprim dënohet deri me një vit burg.

“Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit”, thuhet në propozimin e dy deputeteve.

Gjithashtu, një masë tjetër e fortë, e propozuar nga dy deputetet parashikon se kur vepra e shkaktuar nga qytetarët ka sjellë vdekjen e një personi, atëherë fajtorët propozohet të dënohen nga një deri në pesë vite burg.

“Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive”, thuhet më tej.

Në draftin e propozimeve të dy deputeteve të Kuvendit thuhet se kush shkel urdhrin e karantinës dënohet me gjobë deri në 15 vite burg.

“Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet”, sqaron drafti i deputeteve të PS-së.