Është zbardhur sot vendimi për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzat që e lidhnin Tahirin me trafikun e drogës. Ai u shpall fajtor vetëm për shpërdorim detyre duke u dënuar fillimisht me 5 vite burg.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbret në 3 vite e 4 muaj burg që Gjykata e konvertoi në 3 vjet shërbim prove.
Pasi bën një panoramë të të gjitha pretendimeve të paraqitura, Gjykata arsyeton se nuk krijohet bindja për sa kohë që nuk vërtetohet se ka një marrëveshje mes ish-ministrit dhe grupit të Habilajve për të marrë dhurata dhe parave për të dhe familjen e tij. Megjithatë, Gjykata pranon se ka pasur kontakte mes Tahirit dhe anëtar të grupit të Habilajve.
Makina Audi
Sa i përket makinës tip Audi, që Tahiri i ka shitur kushëririt të tij Artan Habialj, Gjykata ka arsyetuar se mos ndryshimi i pronësisë nuk është bërë me qëllim, por për të shmangur sekuestrimin e mjetit për shkak se ndaj Tahirit kishte një vendim gjyqësor.
Radarët
Një ndër argumentet kryesore të gjykatës që e çuan trupin gjykues tek vendimi është edhe mos informimi i Ministrisë së Mbrojtjes për mosfunksionimin e radarëve që kontrollojnë detin.
Tahiri u shpreh se e ka informuar Ministrinë e Mbrojtjes, por gjykata thotë se në dosje nuk gjendet një shkresë e tillë.
Mos informimi i Ministrisë së Mbrojtjes për efektet që sjell mos funksionimi i radarëve ka ndikuar në rritjen e kriminalitetit për sa i përket trafikut.
“Kjo ka shtrembëruar sundimin e ligjit, ka cënuar shtetin ligjor si edhe tek mirëqeverisja”, shkruan gjykata në vendim.
Hashashi
Në vendimin e gjykatës vërtetohet se kultivimi i bimëve narkotike është e vërtetë që ka përfshirje të punonjësve të policisë, por nuk është i vërtetuar roli. Gjykata ka argumentuar se duke paraqitur këto prova, rolin që ka pasur secili prej këtyre të pandehurve, akuza për grup të strukturuar kriminal bie poshtë.
Shefi i madh
Përgjimet që flisnin për dekonspirime nga Policia e Vlorës dhe biseda mes dy vëllezërve Habilaj, Gjykata i ka rrëzuar me argumentin se nuk mund të merren si provë se janë indicie dhe organi i akuzës nuk ka kryer veprime të mëtejshme për përgjimet e Habilajve ku flisnin për shefin e madh. Prokuroria nuk ka kryer hetimet që biseda mes dy personave ishte pikërisht Tahiri, shefi i madh.
Edhe për dhuratat që pretendohet se ka marrë Tahiri, gjykata ka arsyetuar se Prokuroria nuk ka kryer veprimet e duhura për rolin gjithsecilit. Ndërkohë që akuza e shpërdorimit të detyrës lidhet me mosveprimin e ministrit të brendshëm, kur Shqipëria ishte e kanabizuar, por nuk ka vepruar e marrë masa për parandalimin e kultivimit
Pas këtij vendimi ish-ministri i Brendshëm dhe Prokuroria zhvendosën betejën në Apelin e Krimeve të Rënda.
Ndërsa Prokuroria u qëndron akuzave të saj, Tahiri kërkon pafajësi.