Mungesa e një aplikacioni për drejtimin automatik mund të ketë shkaktuar tragjeditë e dy avionëve Boeing brenda 5 muajve të fundit. New York Times citon burime brenda Administratës Federale Amerikane të Aviacionit, të cilët thanë se bëhet fjalë për një sistem që instalohet në bordin dixhital të kontrollit me një pagesë shtesë, për të cilin kompanitë ‘Ethiopian Airlines” dhe “Lion Air” nuk kishin paguar kur blenë avionët e gjeneratës Max 8.
Aplikacioni shërben për të parandaluar humbjen e pakontrolluar të lartësisë së avionit, në momentin kur drejtimi i krahëve bllokohet për shkak të presionit të lartë të erës. Ky aplikacion gjithashtu analizon të dhënat e sensorëve për shpejtësinë për t’i dhënë pilotëve informacione të sakta se si duhet të veprojnë. New York Times shkruan se në të dyja rastet e tragjedive ajrore, pilotët kanë marrë të dhëna të pakoordinuara nga këta sensorë për shkak të mungesës së aplikacionit.
Në këtë përfundim arritën edhe hetuesit etiopianë pas tragjedisë së 10 Marsit ku humbën jetën 157 persona. Tragjedia çoi në ndalimin e fluturimit të avionëve Boing 737 Max 8 nga disa vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Pritet që kompania Boeing ta japë falas tashmë këtë aplikacion për të gjithë avionët e modelit Max 8.