Bota Zelanda e Re eliminon Covid-19, Ardern: Festova me një kërcim

Zelanda e Re eliminon Covid-19, Ardern: Festova me një kërcim

Zelanda e Re ka eleminuar epideminë e koronavirusit dhe do të shfuqizojë të gjitha masat përveç atyre që janë në kufij, duke e bërë këtë vend të Paqësorit të Jugut një nga të parët në botë që e bëri këtë.

“Jemi gati”, tha kryeministrja Jacinda Ardern duke falënderuar neozelandezët për unitetin e treguar, në luftën kundër pandemisë.

Kjo konsiderohet një tjetër arritje e suksesshme për kryeministren 39-vjeçare, e cila është vlerësuar nga shtypi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për qasjen e kujdesshme dhe rigoroze në menaxhimin e emergjencës shëndetësore.

“Sot, nuk kemi më raste aktive me COVID-19 në Zelandën e Re. Testuam gati 40 mijë vetë gjatë 17 ditëve të fundit e asnjë prej tyre nuk rezultoi pozitiv. Prej 12 ditësh nuk kemi pasur një të shtruar në spital me Covid-19. Kanë kaluar 40 ditë që prej rastit të fundit të transmetimit, dhe 22 që kur personi i fundit kreu vetëkarantinimin. Kështu sot, mund t’ju njoftoj se kabineti ka rënë dakord që të avancojmë në nivelin 1, pra duke rihapur plotësisht ekonominë”, tha kryeministria  e ishullit.

Fitoren në betejën kundër COVID-19, Ardern tha se e kishte festuar përmes një kërcimi me vajzën e saj. Kur gazetarët i kërkuan të bënte të njëjtën gjë para kamerave, Ardern tha: “Jo jo nuk e bëj…Ia tregova vajzës sime. Ajo u zu në befasi por mu bashkua, edhe pse nuk e kishte idenë pse po kërcenim”.

Kufizimet e distancimit social hiqen nga mesnata e sotme, ndërsa hotelet, restorante, bare e shërbime të transportit publik do të operojnë me kapacitet të plotë, pa masat që janë në fuqi në vende të tjera të globit. Zelanda e re regjistroi vetëm 1500 raste dhe 22 vdekje nga COVID-19.