Kryesore Zgjedhja e Presidentit të ri përplas Metën me Berishën

Zgjedhja e Presidentit të ri përplas Metën me Berishën

Firma rrufe që presidenti i Republikës Ilir Meta hodhi për të mos e vonuar zgjedhjen e pasardhësit të tij në këtë detyrë duket se ka krijuar qejfmbetje mes tij dhe aleatit të vjetër, ish-kryeministrit Sali Berisha.

Berisha këmbënguli edhe atë ditë se firmosja e Metës në Stamboll është një shkelje e Kushtetutës. Pas kësaj reagoi Presidenca që tha se ishte respektuar ligji dhe se aktet ishin shqyrtuar në Tiranë dhe se nuk kishte asnjë pengesë për të penguar procesin.

I pyetur për këtë qëndrim të presidencës, Berisha nuk e fshehu ironinë.

“Ai më ngjau mua me Ali Pashën, kokën në Stamboll dhe trupin në Janinë”,tha Berisha në oborrin e parlamentit.

Përgjigjen Meta ia ka dhënë pak minuta më pas në Syri Tv.

“Se çfarë thotë Berisha për dekretin për Begaj, është e drejtë e tij. Nëse ka njeri në këtë toke më koherent në mbrojtje të Kushtetutës, më falni për modestinë, por ai është Ilir Meta.

Procedura e ndjekur ka qene e qarte dhe plotësisht transparente. Procedura e firmosjes së këtij Dekreti është vetëm në zbatim të Kushtetutës. Dekreti ka ardhur në mënyrë elektronike nga Tirana në Stamboll.

Pasi u shqyrtua nga unë dhe pasi e lexova, e firmosa publikisht dhe u dërgua elektronikisht në Tiranë. Çdo veprim i imi ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ne përputhje me ligjin. Në planin kushtetues zero problem, në planin ligjor zero problem, në planin moral zero problem” – tha Meta.