Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjithashtu kandidat për postin e kryeministrit ka votuar në qendrën e tij të votimit. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza. Në dalje, Kurti pati një prononcim të shkurtër për mediat ku ftoi të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Dita sot është fort e veçantë, të gjitha përgjigjeve të të gjitha partive, e politikanëve në fushatë u përgjigjet populli si burim i sovranitetit të republikës sonë. Sot nuk ka rëndësi je i pasur, i varfër, a je burrë a grua, a je i ri a i moshuar, a vjen nga fshati apo nga qyteti, a ke mbaruar shkollë të lartë apo jo. Të gjithë jemi të barabartë. Sistemi politik është i hapur për të gjithë. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë shans unik për nga karakteri dhe historik për nga pesha. Uroj votime të lira dhe ditë të këndshme të këndshme për të gjithë qytetarët e republikës sonë. Le të votojmë dhe të festojmë”, tha Albin Kurti.
Albin Kurti iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve nëse do të kishte një ofertë tjetër nga ana e Vetëvendosoes drejt LDK-së.
“Ne duhet të presim rezultatet dhe votimin masiv të sotëm ta shndërrojmë në një festë masive”, tha Kurti.
Më shumë se 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës. Procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00.