Kosova Zgjedhjet në Kosovë, Vjosa Osmani: Qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre të...

Zgjedhjet në Kosovë, Vjosa Osmani: Qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre të lirë

Votën këtë të diel e hodhi edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një prononcim të shkurtër për mediat ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik. Është një ditë historike dhe vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Besoj se përmes një procesi fer, të lirë dhe demokratik, Kosova sot do të ketë një arsye për të festuar. Shpresoj që gjithçka të ecë mbarë, që qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Gjithçka të shkojë pa asnjë presion dhe qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha Osmani.

Më shumë se 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës. Procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00.