Numri i të prekurve nga koronavirusi në gjithë globin, që prej nisjes së përhapjes dhjetorin e vitit 2019 ka kaluar shifrën rekord prej 1 milionë njerëzish.
Sipas “Johns Hopkins University”, më shumë se 51,000 njerëz kanë vdekur dhe më shumë 208,000 janë shëruar, raporton BBC.
Aktualisht numërohen mbi 47 mijë të vdekur, ndërsa afro 20% e totalit të të prekurve deri më sot janë shëruar.
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thanë se pandemia vijon të ketë ritme tepër të shpejta përhapjeje, shumë herë më të larta se ritmet e të kuruarve. Spanja shënoi një tjetër rekord ditor prej 950 viktimash brenda 24 orëve të fundit, që as Italia nuk e ka arritur, çka përbën një shifër unike në gjithë globin.
Numri total i të vdekurve arriti në mbi 10 mijë dhe mbi 110 mijë numërohen aktualisht të infektuarit. Koronavirusi ka dhënë efektet e para negative në ekonominë e këtij vendi. Gjatë marsit, mbi 900 mijë persona humbën vendet e punës nga mbyllja e bizneseve, një shifër tepër e lartë teksa vendi ka nivelin më të lartë të të papunëve në Eurozonë mbi 13%.
Italia shënoi këtë të enjte 760 viktima të tjera, një shifër e përafërt me atë të një dite më parë që e çon në afro 14 mijë totalin e tyre. Numri i infektimeve ditore pësoi një tjetër rënie, duke treguar sërish qëndrueshmëri. Numri total i të prekurve është mbi 115 mijë.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara nuk ndalen parashikimet e frikshme. Guvernatori i Nju Jorkut, Endrju Kuomo paralajmëroi se 4/5-at e infektuarve e që kanë nevojë për intubim në sallat e terapive intensive do të ndërrojnë jetë. Jeta u rrezikohet të paktën 16 mijë njujorkezë. Aktualisht Nju Jorku numëron mbi 1300 të vdekur 25% e totalit në të gjithë Shteteve të Bashkuara ka mbi 201 mijë raste aktive infektimi, gati gjysma e të cilave në Nju Jork.
Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte bëri sërish bujë edhe në mesin e kësaj pandemie me urdhrat e tij. Kush nuk respekton rregullin e ndalimit të daljes nga shtëpitë që qëllohet me armë për vdekje nga forcat e rendit, ishte urdhri i tij, që të kujton atë të pak viteve më parë kur nisi fushatën përgjakshme të vrasjeve të konsumatorëve dhe tregtarëve të lëndëve narkotike. Filipinet numërojnë 107 të vdekur dhe mbi 2600 të infektuar.