Aktualitet 1.3 ton kokainë hyri përmes Shqipërisë, SPAK bashkëpunoi me amerikanët

1.3 ton kokainë hyri përmes Shqipërisë, SPAK bashkëpunoi me amerikanët

Detaje të reja janë zbardhur nga sasia e madhe e kokainës prej 1.3 ton, që u kap mbrëmjen e kaluar në një magazinë frutash, në Maqedoninë e Veriut.

Mësohet se droga është futur në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër, me tre kamionë frigoriferikë, që drejtoheshin nga tre shoferë malazezë.

Siç shkruajnë mediat maqedonase, kokainë ka pasur vetëm në njërin prej kamionëve dhe droga është kapur në brendësi të ngarkesës me banane që ka hyrë nga Mali i Zi në Shkodër (Shqipëri) dhe ka dalë nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoni.

Lënda narkotike është sinjalizuar që në Itali, prej ku autoritetet atje kanë bërë zëvendësimin e kokainës me një lëndë tjetër, duke mbajtur nën vëzhgim kamionët, për të zbuluar destinacionin e tyre. Ndërkohë, SPAK është lajmëruar nga Italia dhe nga DEA amerikane për ardhjen e ngarkesës. Në territorin shqiptar janë lënë të kalojnë, pra nuk është bërë kontrolli i ngarkesës, por vetëm i dokumentacionit.

Kamionët pasi kanë hyrë në Hanin e Hotit, i janë drejtuar pikës kufitare të Qafë Thanës, duke kaluar më tej në Maqedoninë e Veriut, në Krushopek të Sarajit, afër Shkupit, aty ku është bërë edhe shkarkimi i sasisë së kokainës.

Aty kanë ndërhyrë edhe autoritetet dhe në aksion janë përfshirë DEA Amerikane, Guardia di Finanza, policia shqiptare dhe policitë e vendeve të tjera të rajonit.

Mediat maqedonase thonë se deri më tani janë arrestuar të paktën 3 persona, 2 shoferë  kamioni dhe 1 magazinier që punonte në magazinën e frutave ku u gjet edhe droga.

Sipas informacioneve të para jozyrtare kokaina fillimisht ka ardhur nga Kolumbia (Amerika e Jugut) në Bar (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Por destinacioni ndryshoi. Kamioni është me targa të Maqedonisë dhe gjendet i bllokuar nga policia në magazinën e frutave në Krushopek të Sarajit.