Aktualitet 10 vite nga vrasja e policëve: Përkujtohen katër të rënët në operacionin...

10 vite nga vrasja e policëve: Përkujtohen katër të rënët në operacionin e arrestimit të Dajtit

10 vite më parë, qetësia e plazhit të Durrësit u prish nga krismat e armëve. Aksioni i policisë për arrestimin e të kërkuarit për vrasje, Dritan Dajti, përfundoi me vrasjen e katër oficerëve të policisë.

Ata janë heronjtë e uniformave blu: Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Fatos Xhani. Sot mbushen 10 vite nga kjo ngjarje e rëndë dhe drejtësia ende nuk është vënë në vend. Të katër të vrarët nga radhët e policisë prehen në Varrezat e Dëshmorëve.

“Këta djem të rinj nuk kanë nevojë as për fjalë dhe as për elozhe, por vetëm për një përulje me respekt ndaj tyre. Ju prindër ndonëse me lot në sy dhe plagë në zemrën tuaj duhet të jeni krenarë sot e përgjithmonë, pasi emri i tyre nuk do të harrohet kurrë, por do të kujtohen ndër breza. Janë ëndrrat e tyre të lëna ne mes që do të na bëjnë të ecim përpara.” u shpreh Valbona Xhani, bashkëshortja e të ndjerit Fatos Xhani.

Dështimi i aksionit policor bëri që Dritan Dajti të vriste katër punonjës police. Pas 10 vitesh dosja Dajti endet në duart e gjykatës.

“Kolegët tanë që tashmë prehen në altarin e kombit u ndanë prej nesh nga plumbat e krimit të organizuar. Dhe ende sot shpirti i tyre nuk gjen paqe deri në dhënien e drejtësisë së merituar për dorën vrastare.” deklaroi Aida Hajna, Zv.Drejtore e Policisë së Shtetit.

224 efektivë policie kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Zevendësministrja e Brendshme Rovena Doda bëri apel: “Të rreshtohen në krah të policisë së shtetit institucionet që sakrifikon më shumë e përditë deri në sakrifica sublime, por fatkeqësisht mbi supe jo rrallëherë kanë baltën e akuzave të pamerituara. Policia është dhe mbetet vetëm e shtetit, ndaj të duam policët dhe policinë.”