Aktualitet 100 mijë euro, lidhje jashtëmartesore dhe shantazhe: Historia e dashurisë së modeles...

100 mijë euro, lidhje jashtëmartesore dhe shantazhe: Historia e dashurisë së modeles shqiptare me mjekun grek

Historia e dashurisë mes modeles dhe artistes shqiptare në Greqi Klodiana Çelo dhe mjekut okulist grek Jorgo Neo, gati sa nuk përfundoi në tragjedi kur 49-vjeçarja qëlloi me armë babain e vajzës së saj, duke e lënë të plagosur.

Ngjarja e para dy ditëve ishte “pika e vlimit” e problemeve që vazhdonin prej shumë kohësh. 4 vite më parë, Klodianës iu hoq kujdestaria e vajzës. E prej asaj kohe, Klodiana Çelo ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.

Për emisionin “Live News” në një televizion të Athinës, ka folur një mik i mjekut okulist, i cili ka thënë se prej disa vitesh mes Klodianës dhe Jorgos ka një mosmarrëveshje ligjore. Sipas tij, 5 vite më parë, 49-vjeçarja shqiptare u dënua me 10 muaj burg për shantazh ndaj mjekut. Ndaj shqiptares janë bërë disa padi, si nga vetë mjeku okulist, por edhe nga bashkëshortja e tij. Ky person thotë se ka patur edhe raste dhune, kur bashkëshortja e mjekut është rrahur dy herë nga Klodiana Çelo.

Ai tregon gjithashtu se Klodiana ka marrë 100 mijë Euro nga mjeku okulist, babai i vajzës së saj.

“Vazhdimisht shkonte te mjeku dhe tek spitali ku ai punonte dhe bënte zhurmë. Shkaktonte trazira në shtëpinë e mjekut. Ju thoshte do t’ju shkatërroj financiarisht dhe profesionalisht. Ajo nuk i kishte treguar mjekut që ka qenë e martuar, ia kishte fshehur origjinën, i kishte fshehur emrin, i kishte thënë emër tjetër, i tha që ishte italiane. Lidhja e tyre ka zgjatur gjithsej 6 muaj. Kur lindi fëmija, edhe pse nuk e kishte bërë testin e atësisë, mjeku mori përgjegjësitë e tij dhe i jepte 2000-3000 Euro në muaj”, tha për emisionin një mik i mjekut okulist Jorgo Neo.

Nga ana tjetër, vetë mjeku ka qenë dhe vazhdon të jetë i martuar kur pati lidhje dashurore me artisten dhe modelen shqiptare në Greqi Klodiana Çelo.

Kjo e fundit, një ditë më parë pasi shkoi në Prokurori ku iu bënë të ditura akuzat e ngritura ndaj saj, u tha gazetarëve se mjeku Jorgo Neo ka dhunuar dhe abuzuar seksualisht vajzën e tyre 13-vjeçare.

Klodiana Çelo qëlloi me armë dy ditë më parë babain e fëmijës së saj duke e lënë të plagosur. Prej 4 vitesh ajo nuk e ka më kujdestarinë e vajzës.