Kryesore “Nëse nuk e doni Kinën në Ballkan, na mbështetni me investime”

“Nëse nuk e doni Kinën në Ballkan, na mbështetni me investime”

“Nëse nuk e doni ndikimin kinez dhe rus në Ballkan, na mbështesni me investime”. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi e sheh të lidhur ngushtë ekonominë e rajonit me politikën. Në një intervistë për Newsweek, Dorde Raduloviç paralajmëron se mënyra e vetme që SHBA-ja dhe Bashkimi Europian të konkurrojnë me ndikimin në rritje të Kinës në Ballkan është përmes investimeve të konsiderueshme dhe të qëndrueshme.

“Dëshirojmë të shohim gjithnjë e më shumë investime nga Perëndimi. Ballkani Perëndimor është zemra e Evropës – jo BE-së, por Europës. Mali i Zi është zemra e Ballkanit Perëndimor. Amerikanët dhe europianët duhet të jenë më të sigurt në rajon. Ne jemi në Perëndimin politik. Jemi vend anëtar i NATO-s, jemi vendi që përparuar më shumë në bisedimet e pranimit në BE dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta me BE-në”, ka thënë ai.

“Partnerët tanë kryesorë të politikës së jashtme, BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja prej kohësh e kanë lënë pas dore Ballkanin Perëndimor. Kjo ka lënë hapësirë boshe gjeopolitike këtu në Ballkanin Perëndimor. Dhe Kina e ka shfrytëzuar”, thotë ai më tej.

Ballkani Perëndimor është bërë qendër kyçe e strategjisë kineze për ndikim dhe fitime. Pekini dhe firmat e lidhura me shtetin investuan më shumë se 14.6 miliardë dollarë në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi midis viteve 2005 dhe 2019.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Dorde Raduloviç

BE-ja mbetet partneri më i madh i investimeve të huaja për rajonin – me rreth 70 për qind, shumë më tepër se 1%-shi i Kinës, por Pekini është fokusuar në projektet madhore dhe me rëndësi për përparimin e Ballkanit.

Një e tillë me vlerë triliona dollarë është nisma “Belt&Road”. Projekti që përfshin ndërtimin e rrugëve tokësore dhe hekurudhore që lidhin Evropën Qendrore dhe Lindore me portin e Pireut në Greqi, po ndërtohet nga gjiganti shtetëror kinez i transportit Cosco.

Firmat e lidhura me Pekinin kanë financuar autostrada në Mal të Zi, hekurudha në Serbi, një fabrikë qymyri në Bosnje dhe Hercegovinë dhe rrugë në Maqedoninë e Veriut.

Dhe lista sa vjen e zgjatet. Huatë kineze përbëjnë rreth 3 për qind të PBB-së në Bosnje dhe Hercegovinë, 7 për qind në Serbi, 8 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe 21 për qind në Mal të Zi.

Vendet e vogla në mbarë botën kanë rënë viktimë e “diplomacisë së kurthit të borxhit” kinez – duke marrë hua të mëdha te Kina dhe kur nuk janë në gjendje t’i kthejnë, detyrohen të heqin dorë nga kontrolli i infrastrukturës ose të mbështesin interesat gjeostrategjike kineze.

I tillë është rasti i Mali i Zi, i cili  po punon me zyrtarë evropianë dhe institucione financiare për të rifinancuar një borxh prej 1 miliard dollarësh ndaj Kinës, i marrë nga qeveria e mëparshme për të paguar një pjesë të një rruge të re për në Serbi.