Bota 11 vendet që po përdorin celularët e njerëzve për të gjurmuar koronavirusin

11 vendet që po përdorin celularët e njerëzve për të gjurmuar koronavirusin

Qeveritë në botë po përdorin çdo mjet që kanë në dispozicion për të ndaluar apo patur nën kontroll përhapjen e koronavirusit të ri.

Vendet tani duket se po i drejtohen një teknologjie të re për të mbajtur qytetarët të izoluar. E kjo teknologji ka të bëjë me gjurmimin e qytetarëve përmes celularëve të tyre.

Poshtë kemi një përmbledhje të shteteve të ndryshme e me mënyrën se si ato kanë vendosur për t’i gjurmuar qytetarët e tyre.

Koreja e Jugut

Koreja e Jugut ka ndërtuar një hartë në të cilën shfaqen rrugëtimet që qytetarët të infektuar me Covid-19 kanë bërë e kështu çdokush mund të di nëse i ka prerë rrugën apo i’u ka kaluar pranë këtyre qytetarëve.

Ky lloj gjurmimi sipas “Washington Post” mendohet të jetë shumë i saktë pasi qeveria e Koresë së Jugut në këtë sistem gjurmimi ka përfshirë krahas GPS-it të celularëve dhe kartat e kreditit e kamerat e rrugëve.

Por ky sistem ka nxjerrë e të papritura si p.sh. shumë biznese e veçanërisht diskot, lokalet e baret kanë frikë të organizojnë evente pasi shprehen se nëse dikush me koronavirus vjen në këto lokacione dhe ua përhap të tjerëve atëherë ky vend shenjohet me të kuqe në hartë gjë që ndikon negativisht në reklamimin e biznesit.

Iran

Në Iran qeveria i ka kërkuar qytetarëve që të shkarkojnë një aplikacion i cili tregon në kohë reale lëvizjen e qytetarëve e veçanërisht atyre me koronavirus.

Por për arsye të sigurisë e privacisë ky aplikacion është hequr nga Google Play Store.

Izraeli

Izraeli kaloi në parlament disa ligje të reja që e lejonin atë të spiunonte qytetarët. Sipas ligjeve të reja të nxitura nga kryeministri Benjamin Netanyahu autoriteteve policore nuk do iu nevojitet më leje apo aprovim nga gjykata për t’i përgjuar qytetarët.

Netanyahu në një deklaratë për shtypin shprehet se këto ligje të reja ndonëse cenojnë pakëz privacinë e qytetarëve janë esenciale për sigurinë e tyre. Gjithashtu të dhënat, sipas këtyre ligjeve të reja, pas 30 ditëve do të fshihen.

Singapori

Singapori ka publikuar një aplikacion që i lajmëron qytetarët se kur ata po kalojnë pranë dikujt të infektuar me koronavirus. Sipas informacioneve të marra nga Business Insider lajmërimi i vjen përdoruesit të aplikacionit kur ai gjendet 2 metra pranë një njeriu të infektuar për të paktën 30 minuta.

Tajvan

Në Tajvan është krijuar një sistem në të cilin lajmërohen autoritetet policore nëse një prej individëve të infektuar me koronavirus lë karantinën.

Identifikimi i atyre që lëjë karantinën bëhet përmes disa mjeteve teknologjike si GPS-i i celularit, kamerave të rrugës, përdorimit të kartave të kreditit etj.

Austria

Në Austri përsëri si në shumë vende të tjera po përdoret gjurmimi i qytetarëve përmes aparaturave dixhitale që ata përdorin. Por këto të dhëna mbeten anonime për publikun e dihen veçse nga autoritete përkatëse për këtë ndjekjen e kësaj situate.

Polonia

Në 20 mars qeveria e Polonisë iu ka kërkuar qytetarëve që të shkarkojnë një aplikacion i cili në periudha të caktuara i kërkon qytetarit të shkrepë një foto “selfie”. Kjo bëhet në mënyrë që autoritetet të jenë në dijeni të vendndodhjes së qytetarëve të tyre. Nëse qytetari nuk iu bindet rregullave për të shkrepur foton brenda 20 minutave që atij i është kërkuar atëherë policët i vijnë në shtëpi.

Belgjikë

Qeveria e Belgjikës po përdor të dhënat e operatorëve telefonikë për të ditur vendndodhjen e qytetarëve të saj.

Gjermania

Gjermani duket se përmes të dhënave të marra nga operatorët telefonikë po përpiqet që të modelojë një lloj itinerari të lëvizjes së individëve. Kështu individët në të ardhmen e afërt do të mund të dinë se cilat janë rrugët që përshkruhen më së shumti nga individët me koronavirus.

Italia

Italia gjithashtu është në tentativë për të krijuar një hartë me lëvizjet e individëve të infektuar me koronavirus.

Anglia

Anglia nuk ka kaluar ndonjë ligj për të gjurmuar qytetarët e saj, por është duke e konsideruar seriozisht diçka të ngjashme.