Bota 30-vjetori i “Revolucionit të Mëndafshtë” në Çekosllovaki: Çfarë ndodhi dhe pse u...

30-vjetori i “Revolucionit të Mëndafshtë” në Çekosllovaki: Çfarë ndodhi dhe pse u quajt i tillë?

Kjo fundjavë në Çekosllovaki shënon 30-vjetorin e Revolucionit e Mëndafshtë, ndër të paktët revolucione që solli një ndryshim pa dhunë.

Figura kryesore e tij ka qenë shkrimtari dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Vaclav Havel. Atëkohë, qindra mijëra qytetarë çekosllovakë morën pjesë në protesta paqësore, duke kërkuar fundin e regjimit komunist.

U deshën vetëm disa javë para se partia në pushtet të dorëzohej dhe të vendoset demokracia në vend.

Kryengritja jo e dhunshme solli demokraci për vendet që tani njihen si republikat Çeke dhe Sllovake, që u ndanë në vitin 1993 – gjithashtu në një mënyrë paqësore.

Tridhjetë vjet më vonë të dy vendet janë veterane të Bashkimit Evropian. Me përjashtim të disa ndërhyrjeve të dhunshme të policisë, ndryshimi i sistemit politik në Çekosllovaki kaloi i qetë. Partia Komuniste nuk kishte më fuqi t’i kundërvihej me forcë të gjithë shoqërisë. Demonstratat e 17 nëntorit shënuan fillimin e revolucionit pa dhunë, apo si quhet ndryshe, “i mëndafshtë”, në Çekosllovaki.

Demonstrata e studentëve çekosllovakë të 17 nëntorit 1989 në Pragë, tërhoqi vëmendjen e gjithë botës dhe shënoi fillimin e revolucionit paqësor në vend. Studentët qenë mbledhur në fakt për të përkujtuar studentin Jan Opletal, i cili ishte vrarë prej nazistëve në vitin 1939. Por për shkak se një javë më parë kishte rënë Muri i Berlinit, kjo ceremoni përkujtimore u shndërrua në një proteste politike. Policia përdori ndaj protestuesve shkopinjtë e gomës, me bilanc 600 të plagosur.

Të nesërmen studentët bënë thirrje për një grevë pa afat. Frantisek Pitra, kryeministri komunist i pjesës çeke të republikës u përpoq t’i qetësonte protestuesit, por benzina ishte hedhur, shkruan Deutsche Welle.

Me protestat filluan të bashkohen gjithnjë e më tepër qytetarë – ndër ta edhe shkrimtari Vaclav Havel, i cili për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut “Karta 77” kishte qenë 5 vjet në burg. Më 24 nëntor në Pragë u zhvillua një demonstratë masive, gjatë së cilës njerëzit brohorisnin emrin e Havelit.

Pas një greve të përgjithshme dhe protestave masive në mbarë vendin, pushteti komunist pranoi të bëjë lëshime dhe më 10 dhjetor krijohet një qeveri e unitetit kombëtar me shumicë jokomuniste.

Dinamika e transformimeve nuk ndalej më dot, dhe me këtë hov ndryshohet kushtetuta, mbahen zgjedhje dhe vendi lë pas të shkuarën komuniste. Ajo që nuk harrohet edhe 30 vite pas janë mesazhet që dominuan revolucionin: “Drejtësia dhe dashuria duhet të fitojnë ndaj gënjeshtrave dhe urrejtjes”.