Aktualitet 66 për qind e qytetarëve vlerësojnë punën e policisë, Bledi Çuçi krenohet

66 për qind e qytetarëve vlerësojnë punën e policisë, Bledi Çuçi krenohet

Rreth 66 për qind e qytetarëve kanë mendim pozitiv për punën e policisë, dhe po aq prej tyre shprehen se trajtohen me respekt nga oficerët gjatë detyrës. Ky ishte rezultati i sondazhit të vitit të fundit përpiluar nga programi i qeverisë suedeze SCPA rreth perceptimit të publikut për punën e forcave blu, prezantuar sot nga ministri i ri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Duke e krahasuar herë pas here me të dhënat e vitit 2013, Çuçi i cilësoi rezultatet “mbresëlënëse” dhe “spektakolare”. Ai tha se puna e policisë është përmirësuar tejmase për sa i përket besueshmërisë, depolitizimit, rritjes së efektshmërisë ndaj krimit dhe uljes së korrupsionit.

Në komunikimin e tij të parë për shtyp si ministër i Brendshëm, Çuçi e cilësoi rast të veçuar, që nuk ka lidhje me ecurinë e deritanishme të punës së policisë, vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha më 8 dhjetor nga një oficer i skuadrave “Shqiponja”.

“Rezultatet e sondazhit kanë dalë përpara ngjarjes së veçuar që ndodhi para dhjetë ditëve dhe tregon një moment të caktuar të perceptimit të publikut për punën e policisë,” – u shpreh Çuçi teksa falënderoi paraardhësit e tij në detyrë për punën e bërë në ministrinë e Brendshme dhe drejtuesit e policisë.

“Sot policia është shumë më tepër apolitike dhe e besueshme për punën që bën, publiku e sheh me më tepër respekt punën e policisë që prej vitit 2013-të. Ne flasim me fakte dhe puna matet me faktet, por perceptimi mbetet një tregues domethënës”, tha ministri Çuçi duke falënderuar programin SCPA për mbështetjen e vazhdueshme me mbajtjen e barometrit prej vitit 2013.

Sondazhi

Nga të anketuarit 66 për qind e tyre shprehen se policia po punon mirë ose shumë mirë. Ky perceptim dy vite më parë ishte 63% ndërsa në vitin 2013 ishte 36%.

Po 66% e të anketuarve rezultojnë të jenë shprehur me qëndrimin se policia i trajton me respekt qytetarët – tregues pranë mesatares së BE-së, e cila është me 70%. Ndërkohë që për sa i përket korrupsionit perceptimi se policia pranon ryshfet ka pasur një rritje me 4% krahasuar me vitin 2018 – nga 50 në 54% – mirëpo krahasuar me vitin 2013 perceptimi mbetet ndjeshëm më i ulët (perceptimi për korrupsionin ishte 74% në vitin 2013).

Rreth 80 për qind e të anketuarve janë shprehur të sigurt në zonat ku banojnë. Ky tregues në vitin 2013 ishte në nivelin e 63 për qind – sipas SCPA-së, mesatarja në BE është 81%.

Programi “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri” (SCPA) është një program që financohet nga qeveria suedeze, ku në qendër të tij ka qenë trajnimi i oficerëve të policisë dhe autoriteteve vendore për policim në komunitete, trajtimin e të miturve, pajisja me mjete bashkëkohore si dhe përpilimi i anketës për perceptimin e policimit, i cili kryhet pothuajse çdo dy vite.