Prokuroria akuzon botuesin Henri Çili se së bashku me kunatin dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij në UET, Ilir Korbi dhe Betim Shkupi ngritën një skemë mashtrimi për familjet e dy të dënuarve me burg përjetë, Aliko dhe Yzeiraj duke u marrë 825 mijë euro me premtimin se do i ndihmonin në organet e drejtësisë për të përfituar ulje dhe lirim nga burgu.
Report Tv ka zbardhur ekskluzivisht dokumentin e prokurorisë me akuzat dhe provat ku është bazuar në arrestimin e botuesit dhe pronarit të UET-së, Henri Çili. Por si ishte organizuar skema e mashtrimit nga Henri Çili për familjarët e dy vëllezërve Aliko në Lazarat dhe Yzeriajt në Mallakastër? Në këtë skemë të ngritur fillimisht nga kunati dhe që më pas Çili pranoi të ishte drejtuesi i saj, sipas prokurorisë, familjes Aliko i janë marrë 750 mijë euro dhe prona, dy apartamente dhe asaj Yzeiraj 75 mijë euro.
Por si u futën në lojë vëllezërit Fishta nga Shkodra? Sipas prokurorisë, me kërkesë të Henri Çilit me qëllim që të humbeshin gjurmët me të mashtruarin, familjen Aliko, Besnik dhe Seit Fishta kanë pranuar që të bashkëpunojnë në falsifikim duke e paraqitur shpërblimin me dy apartamente, si dhurim formal, ndërsa më pas botuesi telefoni drejtuesen e hipotekës së Shkodrës, Elsa Tusha në 3 shkurt për të përshpejtuar procedurat. Në shtëpinë e Henri Çilit gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dhjetëra dokumente hipotekore lidhur me shit-blerjen dhe kontrata huamarrje. Sot Henri Çili doli para gjykatës së Përmetit ku mohoi akuzat, ndërsa u shpreh se nëse kunati ka bërë paligjshmëri, le të përgjigjet.
Ka dyshime Gazmir Ajdinaj ka ngritur një skemë mashtrimi në bashkëpunim me të njohurin e tij Henri Çili të cilin e ka përdorur (bazuar në personalitetin, intelektin, njohjen dhe respektin që gëzon në publikun shqiptar si pronar mediash, universiteti dhe biznese të tjera me ndikim në shoqëri) si personi që do të krijonte besimin te personat e mashtruar. “Se ai ka ndikim në organet e drejtësisë dhe jo vetëm por edhe institucione të tjera shtetërore). Për të ndryshuar vendime gjykate të formës së prerë për të dënuar me burgim përjetë dhe persona të tjerë të dënuar në këtë skemë mashtrimi.
Rezulton nga hetimet se e ka bërë funksionale në të dyja rastet. Rasti i parë është mashtrimi që i ka bërë të dyshuarit Adil Aliko dhe dy djemve të tij, Arbion Aliko dhe Alban Aliko, të dënuar me burg, të përjetshëm dhe 17 vite. Duke kërkuar prej këtyre të fundit shpërblim prej afro 750 mijë euro në para cash dhe prona të paluajtshme për të ndikuar te organet e drejtësisë për ndryshime vendimesh të formës së prerë dhe favorizime të tjerë në masat e dënimit. Për të bërë sa më funksionale skemën e mashtrimit Gazmir Ajdinaj dhe Henri Çili kanë përdorur edhe bashkëpunëtorë të tyre, Bekim Shkupi dhe Ilir Korbi. Me anë të kësaj skeme ata kanë arritur që të marrin dhe shuma të mëdha cash, familjarëve të Feti Yzeirajt dhe konkretisht për këtë rast përsëri në drejtim të Ajdinajt është organizuar takimi me Henri Çilin dhe të dyshuarit e tjerë. Daniel Yzeiraj, rezulton i dënuar dhe dyshohet se ka njohje nga burgu me Feti Yzeriajn. Me qëllim për të përfituar shuma të mëdha lekësh nga familjarët e Feti Yzeirajt, kunati i Çilit dhe Daniel Yzeiraj kanë përdorur si mjet për të krijuar besim te të mashtruarit reputacionin e botuesit të UET-së.
Henri Çili e ka pranuar dhe ka marrë si ndihmës në këtë skemë edhe Ilir Korbin dhe Betim Shkupin. Me anë të kësaj skeme të paktën dy herë nën drejtim e Henri Çilit kanë ngritur një skemë mashtrimi duke i marrë Arbjon Alikos të dënuar përjetë, shumën prej afro 750 mijë euro dhe Feti Yzeirajt i dënuar po përjetë 75 mijë euro me pretendimin se do i ndihmojnë në organet e drejtësisë për të përfituar ulje dënimi nga burgimi përjetë dhe lirim nga burgu duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale të mashtrimit. Në skemën e mashtrimit të Adil Alikos kanë përdorur dokumente false duke marrë shpërblim në natyrë duke u paraqitur si dhurim nga persona që në pamje të parë nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe në këtë kamuflim janë ndihmuar janë ndihmuar nga dy vëllezërit Besnik dhe Seit Fishta. Me kërkesë të Henri Çilit me qëllim që të humbeshin gjurmët me të mashtruarin.
Besnik dhe Siet Fishta kanë pranuar që të bashkëpunojnë në falsifikim duke e paraqitur shpërblimin si dhurim formal dhe legal në pamje të parë, pranimi që është bërë me kërkesë të Adil Alikos pasi këtij të fundit i është kërkuar kjo gjë nga mashtruesit dhe nga ana tjetër ka dyshime se Seit Fishta dhe Adil Aliko kanë biznes të përbashkëta që administrojnë pavarësisht administratorëve formalë. Këto dyshime vërtetohen nga aktet procedurale të administruara, procesverbalet, përgjimet dhe vëzhgimet ku vërtetohet takimi mes personave që janë mashtruar dhe personave që marrin shpërblimet. Tabulatet e telefonike, pronat materiale të sekuestruara dhe këqyrja. Nga hetimet ka dyshime se Çili dyshohet se ka ndikuar në mënyrë të paligjshme te një zyrtare lokale, konkretisht në një rast, drejtuesen e hipotekës së Shkodrës, Elsa Tusha, ku e ka telefonuar në 3 shkurt 2020 për të favorizuar atë vetë në regjistrimin e pronave të dhuruara në emër të tij në Velipojë nga të dyshuarit Seit Fishta dhe Besnik Fishta./ Report Tv