Një tjetër person ka humbur jetën në Shqipëri për shkak të koronavirusit duke e çuar numrin e viktimave në 11. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar këtë të hënë se bëhet fjalë për një 79-vjeçar që ishte shtruar prej 18 ditësh në Spitalin Infektiv.
Rasti i tij kishte ardhur duke u përmirësuar ditët e fundit, por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak.
“79-vjeçari është viktima e 11 e prekur nga COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit”, tha drejtoresha e ISHP-së Albana Fico.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 90 testime ndaj personave të dyshuar prej të cilëve vetëm 11 raste kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Në këtë mënyrë numri i përgjithshëm i personave që janë infektuar shkon në 223.
“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 74 të shtruar. Prej tyre 7 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar”, tha Albana Fico.
Një lajm i mirë vjen sa i përket të shëruarve. Në 24 orët e fundit janë shëruar 4 persona të tjerë duke e çuar numrin total në 44.
Qyteti më i prekur nga COVID-19 vijon të jetë Tirana me 124 raste, që ndiqet nga Fieri me 23 raste, Durrësi dhe Korça me 14 raste, Shkodra 7 raste, Elbasani, Vlora, Lezha, Kruja me nga 5 raste, Lushnja, Kavaja, Tropoja me nga 4 raste, Puka 3 raste, Rrogozhina dhe Hasi me nga 2 raste dhe Mirdita me 1 rast.
Ministria e Shëndetësisë i ka bërë edhe njëherë apel qytetarëve që të mos shkojnë menjëherë në spital, por për ankesa të marrin në numrin 127.
“Për ankesat që keni merrni numrin e telefonit 127 për ankesat që kanë të bëjnë me gjendje sëmundje dhe numrin 0800 40 40 kur kërkoni informacion ose kur kërkoni informacion jo vetëm për sëmundjen COVID, por edhe për lidhjen me mjekun e familjes ose për mënyrën se si do të merren medikamentet e rimbursueshme.”