Me banorët e mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të kufizimeve me koronavirusin, një qytezë në Uells të Mbretërisë së Bashkuar është “zaptuar nga kafshët”.
Një tufë me dhi të egra është parë të ecë lirshëm nëpër lulishtet e qytetit të Llandudnos, në bregdetin e Uellsit, dhe kanë bërë gosti me bimët që janë mbjellë për zbukurim.
Qyteza është e famshme për historinë e minierave, për arkitekturën viktoriane dhe plazhet me resorte.
Tani do të mbahet mend edhe për pushtimin e dhive ta racës “Kashmiri”, në mes të krizës së coronavirusit.
Këto dhi të egra zakonisht jetojnë në shkëmbinjtë që rrethojnë qytetin, por ngaqë rrugët kanë qenë të qeta për shkak të kufizimeve, tani kanë zbritur edhe në mes të qytetit duke e kthyer në banesën e tyre.
Dhitë u sollën para shumë vitesh nga Mbretëresha Viktoria, si dhuratë për rajonin.