Vizita dy ditore e kryeministrit Edi Rama në Prishtinë dhe takimet me figurat politike nuk janë pritur mirë në Beograd.
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, nuk është dakord me vizitën e kryeministrit shqiptar, që sipas tij duhet që të lexojë raportin e Dick Marty-t dhe të kuptojë se çfarë ka ndodhur.
“Nëse Edi do të kishte nderin për të lexuar raportin e Dick Marty-t, ai do ta dinte se si janë hequr organet dhe si janë shitur atonë territorin e shtetit që Rama është kryeministër”, tha Vulin për mediat.
Ai shtoi se e vetmja gjë që i intereson Ramës është Shqipëria e Madhe.
“Ramës i pëlqen që të flasë për pajtim, por vetëm për sa kohë ajo nënkupton ndëshkim dhe heshtje për serbët përballë idesë së krijimit të Shqipërisë së Madhe”, shtoi Vulin, që theksoi se i vetmi lider që dëshiron paqe në Ballkan është Aleksandar Vuçiç.
“Mendoj se miqësisë së Ramës nuk duhet besuar më”, përfundoi ai, i indinjuar pas publikimit të një videoje nga Rama ku flitet për krimet e Serbisë në Kosovë.
Kështu Serbia vazhdon me strategjinë e saj për të luajtur rolin e viktimës, duke harruar vuajtjet dhe terrorin që ushtria serbe shkaktoi në Kosovë gjatë luftës, por edhe para saj.