Një studim i ri i botuar në revistën “Proceedings of the National Academy of Science” ka bërë një lidhje mes memories afatshkurtër dhe prirjes për të respektuar distancimin social. Hulumtimi, i realizuar në një mostër prej 850 personash, i referohet asaj që psikologët e kanë quajtur “memorie pune”. Kjo shprehje përshkruan proceset e kujtesës afatshkurtër, e cila është një simptomë e inteligjencës. Titulli i studimit është: “Memoria e punës parashikon qëndrime individuale ndaj distancimit social në pandeminë Covid-19 në Shtetet e Bashkuara”.
Prandaj, memoria e punës mat sasinë e informacionit që mund të mbahet në një afat të shkurtër dhe është e lidhur fort me inteligjencën, mirëkuptimin dhe zgjidhjen e problemeve. “Mosmbajtja e distancës sociale mund të shoqërohet me një kufizim mendor të ruajtjes së shumë informacioneve njëkohësisht”, shkruajnë autorët, duke deklaruar se njerëzit me më shumë memorie kanë një vetëdije më të madhe për përfitimet e distancës sociale.
“Kontrollimi me efikasitet i një sëmundjeje infektive të panjohur, – lexohet në hulumtim, – bazohet me vendosmëri në respektimin vullnetar të njerëzve në udhëzimet e rekomanduara të distancimit. Të dhënat tona mbështesin këtë hipotezë, duke theksuar rolin thelbësor të kujtesës afatshkurtër të të gjithëve në respektimin e distancimit social gjatë fazave të hershme të pandemisë së Covid-19”.
Pjesëmarrësit në hulumtim plotësuan pyetësorë mbi praktikat e distancimit social dhe testet mbi personalitetin dhe aftësinë konjitive.
Korrelacioni midis kujtesës së punës dhe respektimit të distancës ishte aq i fortë, saqë mund të konsiderohej një element përmes të cilit mund ‘të parashikohej’ sjellja e një individi.
“Kur fton popullsinë në sjellje kolektive, të tilla si mbajtja e maskës ose respektimi i distancës, politikanët duhet të marrin parasysh aftësitë e përgjithshme njohëse”, tha WeiWei Zhang, profesor i asociuar i Psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Riverside, në një deklaratë.
Është interesante të vësh re se hulumtimi tregon se distancimi social është një vendim i fortë që përfshin kujtesën, në krahasim me çdo zakon tjetër shoqëror. Qëllimi i studiuesve nuk ishte për të turpëruar IQ, krejt e kundërta. Qëllimi është të kuptojmë pse disa njerëz nuk e respektojnë distancën sociale dhe për të lehtësuar strategjitë për të përmirësuar pajtueshmërinë e përgjithshme me këtë rregull. Zhang sugjeron që fushatat publike duhet të jenë “sintetike, koncize dhe të shkurtra” për të shmangur mbingarkesën e informacionit.
“Me kalimin e kohës, distancimi social dhe përdorimi i maskave do të bëhen sjellje të zakonshme dhe marrëdhënia e tyre me kujtesën e punës do të ulet”, shpjegoi Zhang. Ekipi gjithashtu do të analizojë të dhënat e mbledhura në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Korenë e Jugut për të identifikuar faktorët mbrojtës social dhe mendor që ndihmojnë njerëzit të përballen me pandeminë. Studiuesit kanë mbledhur edhe të dhëna për të vlerësuar se si memoria e punës është e lidhur me diskriminimin racor gjatë pandemisë./American Eye