Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra kryetarin e Hipotekës së Durrësit, Ardian Iljazaj.
Njoftimin për shkarkim ia komunikoi live nga Kryeministria në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes.
Rama: Po trajtojmë hallet tona me njerëz të padenjë, siç ishte rasti i djeshëm, i drejtorit që ka vetëm një përcaktim, halabak. Për të është marrë menjëherë vendimi i shkarkimit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj do ta komunikojë këtë vendim.
Drejtori i Hipotekës së Durrësit u denoncua dje nga një emision investigativ teksa refuzoi të pajiste me hipotekë qytetarin Albert Doda nga Durrësi.
Ky i fundit ishte paraqitur më shumë se 300 herë në zyrat e Hipotekës në Durrës për 6 vite. Doda i ishte drejtuar më herët platformës së Bashkëqeverisjes, e cila pasi kishte gjetur shkeljet ligjore, kishte shkarkuar një punonjës.
Por megjithë masën e marrë, drejtori i Hipotekës Durrës, Ardjan Iljazaj, i kishte thënë sërish qytetarit: Meqënëse problemin e zgjidhe tek Rama, shko sërish tek Rama.
Qytetari kërkonte të regjistronte pronën e tij në Hipotekë dhe të merrte dokumentacionin e rregullt, por zyrat e Hipotekës i kishin hequr metra nga banesa dhe i kishin shtuar tek toka arë.