Zlatan Ibrahimovic nuk ka aspak dëshirë që të tërhiqet nga futbolli. Edhe pse në 3 tetor mbush 39 vjeç, sulmuesi i Milanit, me anë të një videoje në Instagram, lëshon një mesazh të qartë për të gjithë skeptikët: “Mendoni se kam marrë fund? Unë jam Zlatan Ibrahimovic dhe thjesht po bëj nxehjen”.
“Mendoni se kam marrë fund. Që karriera ime do të përfundojë së shpejti. Nuk më njihni. Më është dashur të luftoj gjatë gjithë jetës sime. Askush nuk besonte te unë, kështu që më është dashur të besoj vetë te vetja. Disa kanë dashur të më shkatërrojnë, por më kanë bërë më të fortë. Të tjerë kanë dashur të më shfrytëzojnë, por më kanë bërë më dinak. Dhe tani mendoni se kam marrë fund? Të gjithëve ju dua t’ju them diçka: unë nuk jam si ju sepse unë nuk jam ju. Unë jam Zlatan Ibrahimovic dhe po bëj thjesht nxehjen”.
Sulmuesi suedez ka kontratë me Milanin deri në 31 gusht dhe pritet që pas përfundimit të kampionatit të vendosë me drejtuesit kuqezi rinovimin ose jo të saj. Tani që trajneri Stefano Pioli është konfirmuar deri në vitin 2022, mundësitë që Ibra të vijojë aventurën me Milanin janë rritur ndjeshëm. Javën e kaluar, kur sulmuesit iu dha një çmim për 100 ndeshjet me fanelën e Milanit, ai deklaroi: “Shpresoj të luaj edhe shumë të tjera”.