Një histori të tillë nuk e kishim dëgjuar as në telenovelat më të mira turke. Një ish-lojtar i njohur, pjesë e Kombëtares turke deri pak vite më parë, një grua simpatike me të cilën ka një familje në dukje të lumtur, dhe tre fëmijë.
Por gjithçka për ish-mbrojtësin e Gallatasarait dhe Besiktashit Emre Asik po shndërrohet në makth, dhe në një nga historitë më të përfolura nga shtypi turk.
Sipas tyre, bashkëshortja e tij Yagmur Asik, me të cilën futbollisti ishte martuar nga viti 2012, kishte paguar rreth 1 milion dollarë një killer profesionist për të vrarë dhe më pas zhdukur trupin e burrit. Situata e tyre kohë te fundit nuk ishte nga më të mirat, dhe ajo dëshironte të ndahesh duke mbajtur të drejtat për fëmijët.
Gruaja, e cila ndërkohë kishte edhe një lidhje me një person tjetër, mendonte të përfitonte nga trashëgimia e Emre Asik, por planet nuk i shkuan ashtu siç dëshironte, fatmirësisht për ish-futbollistin.
Fillimisht Yagmuri i kërkon të dashurit të vrasë bashkëshortin, por siç i ka treguar ai vetë policisë, kjo nuk ishte e mundur. ”Ajo një ditë mori një copë mishi dhe më urdhëroi t’i qëlloja me pistoletë, por unë mbyllja sytë nga frika, dhe më tha që nuk isha gati”, deklaroi ai.
Misioni i vrasjes së burrit iu dha një killeri profesionist, për një shumë të madhe parash. Por edhe ky i fundit refuzoi, madje i rrëfeu çdo gjë Emre Asikut, për pendesë ose ndoshta, sepse ishte tifoz me një nga ekipet ku ka luajtur ish-mbrojtësi i Kombëtares turke, me të cilën mori pjesë edhe në Botërorin e vitit 2002, ku djemtë e trajnerit Fatih Terim dolën të tretët.