Politika Berisha kundër miqësisë Erdogan-Rama: Shqipëria nuk mund të bëhet shtojcë e neo-otomanizmit

Berisha kundër miqësisë Erdogan-Rama: Shqipëria nuk mund të bëhet shtojcë e neo-otomanizmit

Marrëdhënia mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan është bërë objekt diskutim shpeshherë në politikën shqiptare, por edhe është komentuar në mediat greke. Madje vetë Edi Rama e ka pranuar publikisht miqësinë e tij me Presidentin turk.

Këtë të premte në emisionin Zonë e Lirë ishte i ftuar ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili komentoi marrëdhëniet e Ramës me Erdoganin, dhe listoi kritikat e tij.

Për ish-kreun e qeverisë demokrate, marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve janë një gjë e mirë, por sipas tij, Shqipëria nuk mund të bëhet shtojcë e neo-otomanizmit.

“Që Shqipëria të ketë marrëdhënie shumë të mira me Turqinë kjo është shumë e mirë, por që Shqipëria të bëhet shtojcë e politikave neo-otomane të Presidentit të Turqisë kjo është absolutisht kundër interesit të vendit. Nëse e ke ndjekur kur ka parashtruar programin këta zotërinjtë në Kuvend, Edi Rama, nxorri tezën ‘zero probleme me fqinjët’. Çfarë do të thotë kjo tezë? Diplomacia e çdo vendi ka interesin kombëtar si udhërrëfyes të politikës së jashtme. Këto janë teza, dhe nuk ishte pa qëllim”, u shpreh ish-kryeministri.

Gjatë bisedës, Berisha tha se Rama është bërë “synet politik” në Pallatin e Sulltanit në Turqi.

“Rama u bë synet në Top Kapi. Unë i informova qytetarët dhe të gjithë botën që në shtator të vitit 2013. Top Kapi është Pallati i Sulltanit, tani është muze. Është synet politik”, u shpreh Berisha.