Një indonezian është bërë milioner brenda nate, pasi që një meteorit me vlerë 1.4 milionë funte ka goditur në çatinë e shtëpisë së tij, shkruan “Daily Mail”.
Josua Hutagalung 33-vjeçar, një ndërtues i arkivoleve, po punonte në një arkivol afër shtëpisë kur meteoriti ra në shtëpinë e tij në Kolang në Sumatrën Veriore.
Meteoriti, me peshë 2.1 kilogramë, la vrimë të madhe në çatinë e shtëpisë së tij dhe u fut në dhe 15 centimetra në thellësi afër shtëpisë së indonezianit.
Ai e nxori meteoritin dhe tha se ende ishte i nxehtë, dhe pjesërisht i thyer kur e preku.
“Kur e ngrita lartë, guri ishte ende i nxehtë dhe e futa brenda në shtëpi. Zhurma ishte aq e madhe sa pjesë të shtëpisë po dridheshin. Unë them se është gur që ka rënë nga qielli, që shumë e quajnë meteorit. Pasi është e pamundur që dikush qëllimshëm e ka gjuajtur nga lartë”, tha 33-vjeçari.
Meteoriti, që dyshohet se është 4.5 miliardë vjet i vjetër, vlen 1.4 milionë funte. Babai i tre fëmijëve ka thënë se do të përdorë këto para për të ndërtuar një kishë në komunitetin e tij.