Pista kryesore ku është fokusuar hetimi për vrasjen e 41-vjeçarit Everest Çaka, i cili u ekzekutua të martën në Elbasan, është ajo e hakmarrjes. Gazetari i Tv Klan Fatos Salliu solli detaje të reja rreth ngjarjes që tronditi qytetin. Mësohet se 41-vjeçarit i kanë vrarë vëllain në Barcelonë dhe pas kësaj ngjarje në qytet kanë ndodhur një seri vrasjesh, ku ndër to mendohej të ishte përfshirë edhe viktima e mbrëmshme, megjithatë kjo nuk u provua asnjëherë nga policia.
Gjatë mbrëmjes së të martës në vendin e krimit në lagjen “Skënderbej” kanë qenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, kryeprokurori i Elbasanit dhe grupi hetimor që kanë kryer veprimet proceduriale. Po ashtu në Elbasan kanë mbërritur forcat speciale RENEA që kanë ushtruar kontrolle në disa rrugë e lagje të ndryshme, ku dyshohet për konfliktet që mund të ketë pasur viktima me persona të ndryshëm.
Sipas gazetarit, pas ngjarjes janë shoqëruar të paktën 25 persona, të cilët janë marrë kryesisht në cilësinë e dëshmitarit për ngjarjen. Dyshimet paraprake kanë bërë hetuesit të mendojnë se kanë të bëjnë me vrasës profesionistë. Në rrugicën ku ndodhi ekzekutimi nuk ka ndriçim të mirë dhe kamera sigurie. Kjo vështirëson punën e tyre për të zbardhur ngjarjen. Rruga del në autostradën që lidh Elbasanin me Tiranën e Durrësin dhe pritet që të merren kamerat e sigurisë nga bizneset aty për të zbuluar detaje rreth autorëve.
Sipas gazetarit, vrasësit kanë studiuar mirë lëvizjet e viktimës. Dyshohet se mund të kenë qenë dy persona që kanë marrë pjesë në momentin e atentatit, sipas Salliut. Viktima ka qenë me bashkëshorten në momentin e ekzekutimit, e cila ka qenë tek prindërit e saj para ngjarjes.
Everest Çaka u ekzekutua të martën e 11 Majit në sy të bashkëshortes së tij, Silvana Çaka. 41-vjeçari njihej edhe me emrin Ibrahim Çaka dhe u ekzekutua në automjetin e tij, tip Opel. Rreth dy orë pas ngjarjes policia gjeti të djegur plotësisht në fshatin Kryemëdhenj një automjet tip Mercedez Benz pa targa, i cili dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes. Çaka ishte një person me precedent penal si dhe kishte lidhje të afërta me persona të njohur të botës së krimit në Elbasan. Ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e shoferit Gëzim Alikaj, ngjarje e ndodhur rreth 11 vite më parë tek zona e Doganës në Elbasan.
Gjithashtu Everest Çaka, është dyshuar edhe për një ngjarje tjetër të rëndë, e ndodhur në mars 2011, ku në lagjen “Syrja Dylgjeri”, u qëlluan me nga një plumb në kokë teksa flinin në një dhomë, dy vëllezërit Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, si dhe babai i tyre, Emin Mahmuti. Gjithashtu viktimës i kanë vrarë vite më parë vëllain në Barcelonë, ndërsa ai është djali i tezes së Arjan Spahiut i ekzekutuar në Nëntorin e vitit të kaluar në Belgjikë. Ky i fundit gjithashtu ishte kunati Erion Alibejn, i cili ndodhet pas hekurave për organizimin e disa vrasjeve.