Ndëshkimi i UEFA-s për Realin e Madridit, Barcelonën dhe Juventusin po afron. Organizmi më i madh i futbollit europian njoftoi se ka nisur hetimin për atë që ndodhi me përpjekjen për të krijuar Superligën dhe me mostërheqjen nga ky projekt, ndryshe nga sa bënë 9 klubet e tjera.
UEFA tha se “në bazë të nenit 34 (1) të Kodit Disiplinor, Komiteti i Etikës ka vendosur të nisë hetimin për shkelje të mundshme të rregullave të UEFA-s nga ana e Real Madrid, Barcelona dhe Juventus”.
Siç ka publikuar ESPN, ndëshkimi për këto 3 klube mund të jetë përjashtim për dy vite nga kompeticionet europiane.
Mbrojtja e këtyre tre klubeve është në një vendim të Gjykatës së Madridit, që ndalon UEFA-n, FIFA-n dhe federatat që të ndëshkojnë këto klube. Nga Konventa e Luganos, ky vendim ka vlerë edhe në Zvicër, ku kanë selinë UEFA dhe FIFA.
UEFA “fali” 9 klubet e penduara me kusht që të respektonin disa masa të forta dhe të firmosnin një klauzolë ku do të paguajnë 100 milionë euro nëse vendosin të krijojnë një kompeticion jo të autorizuar nga UEFA.