Kina nuk ka parë prej dekadash protesta dhe demonstrata kaq të mëdha. Në qendër të kritikave po vihet gjithnjë e më shumë kryetari i partisë dhe i shtetit, Xi Jiping, thotë Alexander Görlach.
Imazhet që shpërndahen nëpër botë janë të mbresëlënëse: Për herë të parë që prej protestave për demokraci të vitit 1989, në Republikën Popullore të Kinës është krijuar një rezistencë kundër politikës së Partisë Komuniste dhe pushtetmbajtësit të saj. Xi Jinpingut, personalisht.
Njerëzit thërrasin “Kinës nuk i duhet mbreti” apo “Më jep liri, ose më sill vdekjen!”
Pushtembajtësi Xi, i cili siguroi në muajin tetor mbajtjen e postit edhe për një legjislacion të tretë duke hapur derën për sundim të përjetshëm, ndihet i zhgënjyer. Përgjigjia e qeverisë nuk priti shumë: natën e së martës, ndërhyrja e një numri të madh policësh pengoi sërish grumbullimin e njerëzve në Shangai dhe Pekin.
Partia Komuniste kërkon të shuajë zjarrin e protestës
Në zonat afër vendeve ku u zhvilluan demonstratat u kontrolluan celularët e njerëzve, për të parë nëse gjendeshin në to fotografi apo video të marra në protesta. Autoritetet arritën të gjenin kush kishte marrë pjesë në demonstrata, mbase nëpërmjet programeve që njohin fytyrën. Policia u shkoi njerëzve në shtëpi dhe i morri në pyetje. Po ashtu u arrestuan gazetarët që raportuan për protestat. Univesitetet në Pekin dhe në provincën Guangdong i nisën studentët në shtëpi për pushime të jashtëzakonshme. Kështu ata mbahen larg pjesëmarrjes në aksione të tjera, si roje nate. Pritet që ata që kanë mbetur në konvikte të marrin dënime.
Ndryshimi me protestat e 33 viteve më parë është se deri tani kanë marrë pjesë vetëm pak mijëra vetë. Prandaj mendohet se udhëheqja ka ndër mend të shuajë zjarrin që në shkëndijë. Në përgjithësi mendohet që protestat do t’i ngjizin më tepër radhët e 94 milionë anëtarëve të Partisë Komuniste. Por protestat tregojnë njëkohësisht, se shumë nga gënjeshtrat që servir përditë udhëheqja njerëzve, nuk hahen më. Kështu për shembull fajësimi i kthyer në rutinë i vendeve të huaja, ndërkohë një formulë standarde përdorur nga Xi, është diçka me të cilën demonstruesit qeshin.
Gazeta “Guardian” citon një person që ka marrë pjesë në protestat e Pekinit me fjalët: “Ne nuk mund të udhëtojmë jashtë vendit, ne nuk mund të konsumojmë mediat e huaja. Si mund atëherë të nxitemi nga vendet e tjera për të bërë protesta?” Edhe të tjerët e aprovojnë atë që thotë ai, por me ton më serioz: “Po zjarrin në Ürümqi kush e vuri, forcat e huaja?”, “Por për fatkeqësinë me autobus në Guizhou, kush e ka fajin, të huajt?” Nga një zjarr në Ürümqi humbën jetën dhjetë vetë; në Guizhou 27 vetë vdiqën kur një autobus karantine, pësoi aksident. Demostruesit ankohen se njerëzit kanë humbur jetën për shkak të masave të marra kundër COVID-it, dhe bëjnë për këtë përgjegjës Partinë Komuniste dhe Xi-në.
Xi Jinping ka humbur rrugën
Në demonstrata kanë marrë pjesë si studentë ashtu edhe punonjës. Në Campus studentët thërrasin “Poshtë Partia Komuniste!”, në rrugë thërrasin “Jo më teste COVIDI! Liri!” Thirrjet e tyre dëshmojnë se me strategjinë e tij “Zero COVID”, pushtetmbajtësi Xi Jinping e ka gabim. Për këtë e ka fajin ideologjia e tij: Duke qenë Perandori e Qendrës, Kina nuk ka nevojë për pjesën tjetër të botës, thonë pikëpamjet e tij ultra-nacionaliste. Kurse bota nuk bën dot pa Kinën. Është detyrë e Xi-së, që për të shpëtuar botën, të kthejë Republikën Popullore në vendin që i takon, në qendër të ndodhive të botës.
Kush mendon dhe flet kështu, nuk mund të blejë vaksina nga vendet e tjera për të vendosur kështu piketat që me fushatë efektive vaksinimi t’i japë fund karantinës dhe kufizimeve. Prandaj, sipas vullnetit të Xi-së, njerëzit qëndrojnë në izolim deri 100 ditë, të mbyllur në banesat e tyre, kur vendoset gjendje Lockdown. Përmasat e këtyre Lockdowns janë shumë të mëdha: Më 23 nëntor 415 milionë njerëz ndodheshin në izolim, një javë më pare ishin 340 milionë, me 28 mijë infeksione të reja në ditë.
Këto nuk janë protestat e para këtë vit
Imazhet që shihen në Smartphones dhe ekranet e gjithë botës, tregojnë se këto nuk janë protestat e para që zhvillohen këtë vit kundër qeverisë së Xi-së. Organizatat joqeveritare kanë numëruar që nga 18 maji 735 demonstrata, por vetëm 50 prej tyre kanë qenë organizuar kundër masave të marra për Coronën. Rreth 230 protesta u zhvilliuan në fillim të verës, kur tregu i pasurive të patundshme pësoi krizë dhe mijëra vetë u trembën se do humbisnin kursimet që kishin dhënë për të blerë banesat. Arsye të tjera për protesta kanë qenë një krizë bankare, në kuadër të së cilës ata që kishin futur para në bankë nuk lejoheshin që t’i merrnin paratë e tyre. Dhe për shkak të pandemisë së COVID-it, ekonomia ka rënë përtokë, duke rritur papunësinë tek të rinjtë që në Kinë është rreth 20 përqind, aq e lartë sa asnjëherë më parë.
Ditën e martë demonstruesit u tërhoqën, duke shënuar fitore për Partinë. Por shpresat ekzistojnë: Gjatë festimeve të përvjetorit të Partisë Komuniste në muajin tetor, një protestues i vetëm shpalosi një banderolë në një urë në Pekin, duke kërkuar që “Diktatori dhe tradhëtari Xi” të largohet nga pushteti. Banderola u përshëndet me bori makinash dhe u duartrokit nga njerëzit. Nga një person i vetëm brenda disa javësh u bënë të guximshëm disa mijëra vetë. Javën e ardhshme mund të bëhen qindra-mijëra, për një muaj një milionë. Nëse nuk bëhen ndryshime thelbësore në politikën e nomeklaturës për COVID-in, atëherë protestat do të vazhdojnë dhe dhuna do të përshkallëzohet. Sa më e zëshme bëhet thirrja për liri, aq më i imagjinueshëm bëhet fundi i epokës së Xi-së.
Alexander Görlach është bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Carnegie për etikë në çështjet ndërkombëtare dhe bashkëpunëtor kërkimor në Institutin Internet të Universitetit Oksford. Ai ka patur poste të ndryshme në Universitetin Harvard dhe në Universitetin e Kembrixhit./DW